Ndërlidhjet

Izraeli vret në Liban një anëtar të krahut ushtarak të Hamasit


Një sulm izraelit në jug të Libanit. Fotografi nga arkivi.
Një sulm izraelit në jug të Libanit. Fotografi nga arkivi.

Një sulm izraelit me dron shënjestroi një makinë në jug të Libanit në afërsi të qytetit bregdetar Tire, duke vrarë një anëtar të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe një civil.

Që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas më 7 tetor në Gazë, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë apo plagosur dhjetëra anëtarë të lartë të grupit militant libanez, Hezbollah, por edhe të aleatit të tij, Hamas, në pjesë të ndryshme të Libanit.

Hamasi identifikoi anëtarin e vrarë si Hadi Mustafa dhe tha se ai ishte pjesëtar i krahut ushtarak të grupit, Brigadës Kasam. Media shtetërore libaneze tha se ai ishte nga kampi i refugjatëve Rashidieh, afër Tires, ku Hamasi ka një prani të konsiderueshme.

Ushtria izraelite publikoi një video të sulmit dhe tha se Mustafa udhëhiqte celula për të sulmuar “caqet izraelite dhe hebreje” në pjesë të ndryshme të botës dhe ritheksoi se ushtria izraelite dhe agjencitë e sigurisë do të ndjekin Hamasin kudo që grupi palestinez është aktiv.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Libi tha se personi tjetër që u vra në sulm ishte një qytetar sirian i cili ishte në një motoçikletë afër makinës që u shënjestrua. Po ashtu, kjo media raportoi se edhe dy persona janë plagosur.

Sulmi vjen një ditë pasi disa sulme izraelite brenda territorit libanez vranë një anëtar të Hezbollahut dhe një person tjetër, si dhe lanë të plagosur 20 persona të tjerë. Sulmet ishin në kundërpërgjigje të një breshërie raketash të hedhura nga Hezbollahu ndaj pozicioneve të ushtrisë izraelite, përfshirë ndaj dy bazave në veri të Izraelit një ditë më parë.

Lufta në Gazë shpërtheu pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Që atëherë, ka pasur shkëmbim zjarri në baza ditore në kufirin mes Libanit dhe Izraelit.

Në kundërpërgjigje të sulmit të Hamasit, Izraeli ka nisur një ofensivë në Rripin e Gazës që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 31.000 palestinezë dhe ka detyruar qindra mijëra të zhvendosen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG