Ndërlidhjet

Italia arreston personin që dyshohet se ndihmoi arratisjen e rusit të kërkuar nga SHBA-ja


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Italia arrestoi të premten një të dyshuar i cili akuzohet se e ndihmoi djalin e një guvernatori rus të ikte në vendin e tij derisa përballej me ekstradimin e Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet për eksport të paligjshëm të teknologjisë ushtarake, njoftuan autoritetet.

Personi i arrestuar dyshohet se organizoi largimin e Artyom Uss nga Italia në mars të vitit 2023, një ditë pasi një gjykatë italiane miratoi ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Uss ishte një nga pesë rusët e arrestuar me kërkesë të Uashingtonit për “skema të paligjshme për të eksportuar teknologji të fuqishme ushtarake” amerikane në Rusi.

Uss u zhduk nga rezidenca e tij dhe disa ditë më vonë njoftoi se ishte kthyer në Rusi.

I dyshuari i arrestuar të premten, gjithashtu rus, dyshohet se ka ndjekur vendimet e gjykatës së Milanos që urdhëroi ekstradimin e Uss dhe përgatitjen e një plani për arratisjen e tij.

Personi i dyshuar, një banor zviceran, akuzohet gjithashtu për "kontakt me anëtarët e bandës që më pas kryen arratisjen", thuhet në një deklaratë nga zyra e prokurorit publik të Milanos.

Prokuroria tha se 54-vjeçari, emrin e të cilit nuk e kanë bërë të ditur, ishte në kontakt të vazhdueshëm me familjen e Uss.

Mediat italiane e identifikuan të dyshuarin si sipërmarrësin Dmitry Chirakadze, bashkëthemelues i grupit Pravo.ru, i cili ofron ndihmë për faqet e internetit të gjykatave ruse.

Gjithashtu u tha se ai është aksionar në "kompani të shumta ruse me përfshirjen e anëtarëve të familjes Uss".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG