Liderët amerikanë vlerësojnë kontributin e sekretares Albright
Rreth 1,400 veta janë mbledhur më 27 prill në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars. Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Albright ishte sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë, ndërkaq ish-presidenti Bill Clinton kujtoi vizitën e fundit në Kosovë dy vjet më parë, ku të dy morën pjesë në zbulimin e bustit dedikuar sekretares Albright. Ajo vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.

1
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nderon ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, teksa arkivoli i saj arrin në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit më 27 prill 2022.

2
Në ceremoninë përkujtuese kushtuar ish-sekretares Albright morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

3
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Madeleine Albright ka ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai tha se Albright, në cilësinë e sekretares së Shtetit ndihmoi në ndaljen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor.

4
Në ceremoninë përkujtuese morën pjesë edhe ish-sekretarët e Shtetit, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.