Ndërlidhjet

Ish-oficeri i lartë i NATO-s: Ukraina e ka rimarrë iniciativën nga armiku


Giampaolo Di Paola, ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s. (Fotografi nga arkivi).
Giampaolo Di Paola, ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s. (Fotografi nga arkivi).

Giampaolo Di Paola zotëron karrierë të shquar ushtarake.

Ai ka qenë ministër i Mbrojtjes i Italisë nga viti 2011 deri më 2013 dhe kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, autoritetit kryesor ushtarak të aleancës, nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Në një intervistë së fundmi me shërbimin e Radios Evropa e Lirë në Gjeorgji, Di Paola tha se Ukraina e ka marrë iniciativën nga forcat pushtuese ruse, por derisa kundërofensiva e saj po vazhdon dalëngadalë, rreziku për lodhje nga lufta në Perëndim po rritet.

Radio Evropa e Lirë: Ku jemi tani në luftën në Ukrainë? Faza verore e kundërofensivës ukrainase gati ka përfunduar: Çfarë është arritur dhe çfarë jo?

Giampaolo Di Paola: Askush nuk e di vërtet. Nuk po lëviz [kundërofensiva] me aq shpejtësi sa prisnin disa aleatë të NATO-s. Tani ndodhemi në një fazë kritike, sepse çfarëdo që të arrihet, do të arrihet gjatë periudhës së shkurtër verore, para se të nisë shiu dhe terreni të bëhet me baltë. Ritmi është i ngadalshëm. Ukrainasit vazhdojnë të thonë se po shkon sipas planit. Unë s’e di nëse kjo është e vërtetë, apo jo. Ajo çfarë është arritur është se Ukraina e ka marrë iniciativën nga armiku. Ne e pamë se kundërofensiva e shumëpritur po ndodh më në fund.

Por, çfarë nuk është arritur ende; nuk është rimarrë shumë territor nga rusët, s’ka depërtim të rëndësishëm, s’është zbuluar një pikë e dobët në vijat mbrojtëse ruse të cilat ukrainasit mund t’i shfrytëzojnë. Por, ne ende jemi në sferën e pasigurive; mbase do të kemi nevojë për edhe një muaj, apo dy, të tjerë për të përcaktuar se ku ndodhemi, se çfarë është arritur apo humbur.

Megjithatë, kjo është fazë shumë kritike, sepse sa më shumë që zgjat ajo luftë, aq më e mundshme do të bëhet për ne që ta shohim një lodhje nga lufta në disa prej vendeve të cilat po e përkrahin Ukrainën. Prandaj, “çfarëdo që nevojitet për aq gjatë sa është e nevojshme” mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo “për aq gjatë sa është e nevojshme” del të jetë shumë gjatë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë njëra nga arsyet për këtë përparim të ngadalshëm përkrahja e pamjaftueshme e Perëndimit për atë se çfarë kanë kërkuar ukrainasit para kundërofensivës?

Giampaolo Di Paola: Përkrahja ka qenë shumë e madhe, dhe sigurisht e dobishme. Për ukrainasit, e mjaftueshmja nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme. Dhe, po ashtu, është e drejtë të thuhet se ta fajësosh dikë tjetër është një lojë e lehtë për ta luajtur, kushdo që e bën. Vështirësia më e madhe në këtë rast është se ukrainasit duhet të kryejnë operacione kundërofensive pa superioritet ajror. Ky, mendoj, është elementi më i rëndësishëm që mungon. (Së fundmi, Holanda dhe Danimarka thanë se do t’i japin Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16, sapo të përmbushen disa kushte të caktuara.)

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju pyes për bllokadën në Detin e Zi. Kujt i takon Deti i Zi tani realisht, nga një pikëpamje reale-politike?

Giampaolo Di Paola: Deti i Zi tani u takon vendeve të cilat po përballen me Ditën e Zi – pra, Rusisë, Ukrainës, Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Gjeorgjisë, ky është fakt. Tani Rusia po përpiqet t’i bllokojë portet ukrainase, por ne i kemi parë ukrainasit duke luftuar dhe duke i sulmuar forcat e marinës ruse. Prandaj, tani për tani, do të thosha se askush nuk është pronar i Detit të Zi.

Radio Evropa e Lirë: Po Turqia? Në një intervistë së fundmi ju e cilësuat Turqinë si “Zonja e Detit të Zi”. A ka dhënë dorëheqje Mbretëresha?

Giampaolo Di Paola: Jo, Turqia është ende lojtarja më e fortë në Detin e Zi, sepse në fund të fundit e kontrollon [Ngushticën] e Dardaneleve, që është pika e vetme hyrëse në të. Ajo e ka fjalën e fundit se kush lejohet të futet në të dhe të dalë nga ajo, dhe kush nuk lejohet. Pra, nëse doni të ushtroni kontroll vërtet, ju nevojitet çelësi i Bosforit, dhe këtë çelës e ka Turqia. Tani për tani, Turqia po bën pazar; është një lojtare ngurruese që po përpiqet ta sigurojë arritjen e marrëveshjes dhe ta ngulisë veten si ndërmjetësuese, si një gjykatëse e debateve në Detin e Zi.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se do të zhvillohet kriza e drithërave? Çfarë ngjarjesh mendoni se do të ndodhin?

Giampaolo Di Paola: Epo, nëse rusët nuk janë të gatshëm për të bërë marrëveshje, ne duhet ta gjejmë një rrugëdalje alternative. Sepse, çështja është se, edhe nëse teorikisht mund të lundroni në pjesën perëndimore të Detit të Zi, nëse je mjaft i guximshëm, kjo nënkupton se ndodhesh në ujërat territoriale të vendeve të NATO-s. Prandaj, nuk ka gjasa që Rusia t’i sulmojë anijet e mallrave atje, sepse një sulm në ujërat territoriale mund të nënkuptojë se Artikulli 5 aktivizohet.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse Rusia e sulmon, në ujërat territoriale të Ukrainës, një anije e cila i takon një vendi anëtar të NATO-s?

Giampaolo Di Paola: Epo, ky është një skenar shumë i koklavitur, të cilin, ju duhet ta gjykoni bazuar në situatën atëherë dhe aty. Nuk ka ndonjë [protokoll] që thotë se “kjo dhe kjo do të ndodhë pas kësaj”.

Nëse një anije me një flamur të një vendi anëtar të NATO-s sulmohet, ky anëtar i NATO-s mund të vendosë ta thërrasë Artikullin 5, duke thënë “unë jam duke u sulmuar nga Rusia”, apo mund të vendosë të mos e bëjë këtë për shkak të një sulmi në një anije të vetme mallrash.

Do të ishte një vendim politik që ai vend i NATO-s do të duhej ta merrte, sepse, madje edhe vendet anëtare të NATO-s, nuk janë të gatshme të futen në luftë me Rusinë. Por, është njëjtë në të dy anët: për Rusinë, është rrezik i madh ta sulmojë një anije të një vendi anëtar të NATO-s dhe të rrezikojë thirrjen e Artikullit 5 kundër Rusisë; kjo nuk do të ishte një gjë racionale ta bësh. Pra, ka situata të cilat nuk mund t’i parashikosh se çfarë do të ndodhë; prandaj ajo pasiguri funksionon nganjëherë si frenim.

Radio Evropa e Lirë: Këtë muaj është 15-vjetori i luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në vitin 2008, kur ju ishit kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s. Prandaj, më lejoni t’ju pyes: Cili është ndikimi dhe trashëgimia e saj kur bëhet fjalë për interpretimin e ngjarjeve të sotme?

Giampaolo Di Paola: Është e qartë se çfarë ndodhi në Gjeorgji ishte si pasojë e Samitit të famshëm të [NATO-s] në Bukuresht [më 2008], i cili tha se Gjeorgjia dhe Ukraina do të bëheshin anëtare të NATO-s. Por, ishte thjesht një deklaratë dhe Rusia e përdori atë si arsyetim për ta pushtuar Gjeorgjinë.

NATO-ja nuk ishte në pozitë për të bërë ndonjë gjë ushtarakisht në atë kohë. Prandaj, ne thamë se ajo çfarë bëri [presidenti rus Vladimir] Putin ishte e jashtëligjshme, por ne nuk ishim në gjendje të bënim ndonjë gjë kundër tij, ta ndalnim atë. Prandaj, në fund, ishte një kafshatë e lehtë për të. Gjeorgjia, në fund, u desh të përballej me realitetin.

E mbaj në mend në Bukuresht po mendoja – e thashë madje – ky është gabim, nuk mund ta bësh këtë. Dhe pastaj ndodhi tamam siç druhesha se do të ndodhte – ia dha Putinit çastin e duhur për ta pushtuar Gjeorgjinë. Disa thonë, dhe unë mendoj se ka një të vërtetë në këtë, gjithashtu, se sikur t’ia kishim dhënë Ukrainës një rrugë të qartë [për anëtarësim në NATO] asokohe, Rusia do ta kishte pushtuar edhe Ukrainën, dhe në atë kohë, Ukraina nuk ka qenë në gjendje për t’i bërë qëndresë siç i bëri në vitin 2022.

Prandaj, mendoj se gjëja më e mirë që ne kemi mundur ta bënim në Bukuresht në vitin 2008, do të ishte të mos kishim thënë asgjë, asgjë hiç. Kjo do të kishte qenë gjëja e duhur për ta bërë. Ta mbanim gojën mbyllur. Nëse nuk ke për të thënë diçka kuptimplotë, më mirë mos thuaj asgjë hiç.

Radio Evropa e Lirë: A bëri Perëndimi mjaftueshëm gjatë dhe pas luftës, çfarë mendoni?

Giampaolo Di Paola: Ata bënë mjaftueshëm – apo, ata bënë krejt çka mund të bënin. Siç thashë më herët, Perëndimi nuk ishte në pozitë për të bërë shumë për Gjeorgjinë në vitin 2008. Ky është realiteti, sado që është pikëllues.

Radio Evropa e Lirë: A mund të thuhet e njëjta gjë për përpjekjet për ndërmjetësim të presidentit francez [Nicolas] Sarkozy, dhe planin për armëpushim, i cili ende mbetet i papërmbushur? Sa efektiv ishte ai plan, objektivisht?

Giampaolo Di Paola: Duke e pasur parasysh se një pjesë e Gjeorgjisë ishte tashmë e uzurpuar nga Rusia dhe rusët po përparonin ende dhe Gjeorgjia nuk ishte në pozitë për të bërë qëndresë më, mendoj, në fund të fundit, ai ishte rezultati më i mirë i mundshëm nga ajo që ishte në dispozicionin tonë.

Ne duhej të pajtoheshim për atë status-quo. Pra, në fund, ajo ishte gjëja më e mirë që mund të bënim. Dhe, në njëfarë kuptimi, doli të ishte disi efektive, sepse kjo status-quo ende ekziston, dhe nuk ka pasur armiqësi mes Rusisë dhe Gjeorgjisë më.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG