Ndërlidhjet

Mbrojtja sërish kërkon lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së


Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sërish kërkoi lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në konferencën e pestë statusore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, tha se me mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, pa e ditur saktë se për çka po akuzohet, ai po privohet nga prezumimi i pafajësisë.

Ky reagim i avokatit të Thaçit, erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se hetimet ende po vazhdojnë dhe parashikojnë të vazhdojnë "deri në një të ardhme të parashikueshme", duke shtuar se disa materiale planifikon që t'i nxjerrë në muajin shtator.

Megjithatë, prokuroria tha se së fundmi, pala mbrojtëse nuk e ka shfrytëzuar të drejtën që të bëjë parashtrime për lirim të përkohshëm. Mbrojtja tha se është duke përgatitur kërkesat për lirimin e klientëve të tyre dhe gjykatësi tha se do të shtyjë afatin deri në fund të majit, në mënyrë që avokatët të mund të parashtrojnë kërkesat e tyre.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ishte pikërisht prokuroria që fillimisht kishte thënë se deri në shtator do të jetë gati që të nisë gjyqin.

Ai madje tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion që të gjykojë veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së.

Emmerson tha se me këtë ritëm mund të parashikohet që prokuroria të jetë gati për gjykim deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Të pandehurit nuk morën pjesë fizikisht në këtë konferencë, por e ndoqën atë përmes video-lidhjes.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se po vazhdon me nxjerrjen e materialeve, përfshirë edhe ato shfajësuese. Por, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së u ankua se Prokuroria nuk po u jep informacione të plota për dokumentet që po ua dorëzon.

Në fund, palët u pajtuan që konferenca e radhës të mbahet në muajin qershor.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që të katërtit janë deklaruar të pafajshëm dhe që nga nëntori i vitit 2020 gjenden në paraburgim në Hagë.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG