Ndërlidhjet

Ish-deputeti bullgar i akuzuar për spiunim, zgjidhet shef i grupit të mbështetur nga Moska


Ish-deputeti bullgar, Nikolai Malinov. Fotografi nga arkivi.
Ish-deputeti bullgar, Nikolai Malinov. Fotografi nga arkivi.

Ish-deputeti bullgar, i akuzuar për spiunim për Rusinë dhe i sanksionuar nga Uashingtoni për korrupsion, është zgjedhur kryetar i Lëvizjes Ndërkombëtare të Rusofilëve (MDR). Ky grup mbështetet nga Ministria e Jashtme ruse dhe pretendon se ka anëtarë nga 40 shtete.

Nikolai Malinov, i cili po ashtu është lider i grupit lobues pro-Rusisë në Bullgari, që njihet me emrin Lëvizja Kombëtare Rusofile, dhe garon për deputet në zgjedhjet parlamentare të muajt të ardhshëm në Rusi, u zgjodh me votë unanime si kryetar i MDR-së, gjatë kongresit të kësaj lëvizjeje që u mbajt në Moskë më 14 mars.

Në këtë ngjarje mori pjesë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, zëvendëskryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, Konstantin Kosachev, ideologu Aleksandr Dugin dhe oligarku Konstantin Malofeyev.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe patriarku rus Kirill, dërguan mesazhe urimi në këtë kongres.

Më 2019, Malinov, ish-deputet i Partisë Socialiste të Bullgarisë (BSP) u akuzua për financim dhe spiunim për dy organizata ruse dhe iu ndalua që të udhëtonte jashtë vendit.

Muajin e kaluar, Malinov u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për korrupsion së bashku edhe me shtatë politikanë të tjerë bullgarë, që kanë qenë anëtarë të Parlamentit apo kanë pasur pozita qeveritare.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se Malinov, të cilit i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit, kishte korruptuar një gjykatës bullgar për t’i lejuar që të shkonte në Rusi që personalisht të pranonte Medaljen e Miqësisë që ia ndau Putini më 2019.

Partia e Malinovit, Rusofilët për Ringjalljen e Atdheut dhe grupi Lëvizja Kombëtare Rusofile janë nën sanksione amerikane, sipas Aktit Magnitsky, që shënjestron shkelësit e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin në mbarë botën.

Edhe pse ende ka akuzë për spiunazh, Malinov aktualisht është kandidat për zgjedhjet e 2 prillit nga koalicioni Bullgaria Neutrale, ku bën pjesë grupi i tij Lëvizja Kombëtare Rusofile. Është e paqartë se si atij iu lejua që të udhëtonte për në Moskë sërish, pasi ndaj tij ka urdhër që të mos lejohet të udhëtojë jashtë vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG