Ndërlidhjet

“Nuk është lufta jonë”: Iranianët me pak mbështetje për kauzën palestineze


Anëtarët e forcave paraushtarake iraniane Basij, të veshur sikur militantë palestinezë dhe libanezë, improvizojnë arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një tubimi pro-palestinez të sponsorizuar nga shteti, Teheran, 13 tetor 2023.
Anëtarët e forcave paraushtarake iraniane Basij, të veshur sikur militantë palestinezë dhe libanezë, improvizojnë arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një tubimi pro-palestinez të sponsorizuar nga shteti, Teheran, 13 tetor 2023.

Establishmenti klerik i Iranit e ka mbrojtur kauzën palestineze me dekada dhe ka refuzuar ta njohë Izraelin.

Por, publiku atje shpreh pak mbështetje për luftën palestineze për shtetësi.

Irani është një vend i banuar me shumicë myslimane shiite në Lindjen e Mesme kryesisht sunite.

Shumë iranianë i kanë kritikuar autoritetet e tyre për mbështetjen e grupeve të armatosura palestineze që luftojnë Izraelin, e madje disa kanë shprehur edhe mbështetje për armikun kryesor të Teheranit.

Konflikti që vazhdon mes Izraelit dhe Hamasit ka nxitur protesta pro-palestineze në rrugë në të gjithë Lindjen e Mesme. Por, në Iran, shfaqja publike e solidaritetit është kufizuar kryesisht në mitingje të sponsorizuara nga shteti.

“Në nivelin popullor, ka pak lidhje mes iranianëve dhe çështjes palestineze”, thotë Sanam Vakil, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Institutin Chatham House në Londër.

“Kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk ndiejnë për palestinezët, por se njerëzit e zakonshëm janë më shumë kundër politikave rajonale të qeverisë”, thotë ai.


Nën shahun e Iranit të mbështetur nga SHBA-ja, Teherani ka pasur lidhje miqësore me Izraelin. Por, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, Irani është betuar për shkatërrimin e Izraelit.

Gjatë katër dekadave të fundit, Irani ka formuar të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” kundër Izraelit dhe ka ofruar mbështetje financiare dhe ushtarake për grupet e armatosura, përfshirë Hamasin në Rripin e Gazës dhe grupin militant, Hezbollah, në Liban.

“Asgjë, veç mjerim”

Pas sulmit të shumëfishtë të Hamasit në Izrael më 7 tetor, i cili ka lënë më shumë se 1.400 njerëz të vrarë, zyrtarët iranianë kanë qenë me një disponim festiv.

Në Teheran, autoritetet kanë ngritur tabela për fillimin e “çlirimit të madh” të territoreve palestineze dhe për “shkatërrimin e Izraelit”.

Zyrtarët iranianë kanë mohuar se vendi i tyre ka pasur ndonjë rol në sulm.


Më 13 tetor, protesta të organizuara nga shteti janë mbajtur në të gjithë Iranin, në mbështetje të popullit palestinez dhe kundër bombardimeve të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës - enklavë që kontrollohet nga Hamasi.

Kjo ka qenë në kundërshtim me reagimin e publikut në Iran, ku shumë kundërshtojnë financimin e grupeve rajonale që luftojnë Izraelin.

Shumë ankohen se autoritetet duhet t’i përdorin ato fonde për të trajtuar krizën e thelluar ekonomike në Iran, e cila është përcjellë me rritje të inflacionit, rritje të papunësisë dhe rritje të varfërisë në vitet e fundit.

Mbështetja e Iranit për grupet militante - disa prej të cilave janë cilësuar si terroriste nga Perëndimi - e ka bërë gjithashtu Teheranin shënjestër të sanksioneve të SHBA-së.

“Iranianët, në masë të madhe, e urrejnë politikën e jashtme të regjimit, për arsyen e thjeshtë se ajo nuk u ka sjellë atyre asgjë, veç mjerim, izolim ndërkombëtar dhe vështirësi ekonomike”, thotë Arash Azizi, autor i librit “Komandanti në hije: Soleimani, SHBA-ja dhe ambiciet globale të Iranit”.

“Ata janë, gjithashtu, të vetëdijshëm se regjimi nuk mbështet ‘kauzën palestineze’ në vetvete, por grupet terroriste islamike - gjë që e bën edhe më pak të popullarizuar në mesin e shumicës së iranianëve”, shton Azizi, pedagog në Universitetin Clemson në Shtetet e Bashkuara.

Gazetari dhe analisti politik iranian, Arash Azizi
Gazetari dhe analisti politik iranian, Arash Azizi

Gjatë protestave anti-establishment në vitet e fundit, demonstruesit kanë brohoritur: “Largohuni nga Palestina. Mendoni për ne” dhe “Jo Gazës, jo Libanit, jeta ime u sakrifikoftë për Iranin”.

“Për dekada tashmë dhe sidomos gjatë protestave, kur në rrugët e Iranit dëgjohen këngë, iranianët kanë shprehur zhgënjimin e tyre me shpërndarjen e fondeve të qeverisë për kauza të huaja dhe jo për ato vendase”, thotë Vakil nga Chatham House.

Solidariteti me Izraelin

Disa iranianë në mediat sociale kanë shprehur mbështetje për Izraelin, i cili është shtëpi e dhjetëra mijëra hebrenjve me origjinë iraniane.

Irani ka gjithashtu popullsinë më të madhe të hebrenjve në Lindjen e Mesme, jashtë Izraelit.

“Shumë iranianë solidarizohen me Izraelin, sepse duan të tregojnë se nuk e mbështesin linjën anti-izraelite dhe anti-semitike të regjimit”, thotë Azizi.

“Ata, gjithashtu, mendojnë se drejtimi anti-izraelit i regjimit e izolon rrezikshëm vendin”, shton ai.

Më 20 tetor, mijëra tifozë të futbollit kanë fshikëllyer gjatë një minute heshtjeje për popullin e Gazës, para nisjes së një loje në stadiumin Azadi të Teheranit - stadiumi më i madh sportiv në vend.

Ndërkohë, aktivistë dhe intelektualë të shquar iranianë janë shprehur kundër bilancit të lartë të konfrontimit të Teheranit me Izraelin.

Sadegh Zibakalam, profesor universitar me bazë në Teheran, ka shkruar në X se zyrtarët dhe ligjvënësit iranianë kanë demonstruar “mbështetje të qartë dhe publike për sulmet e Hamasit” në Izrael.

“Si u shërbejnë këto sulme interesave të popullit iranian?”, ka pyetur ai.

Atena Daemi, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish e burgosur politike, ka shkruar më 8 tetor në X se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) - dega elitë e forcave të armatosura - ka qenë “përgjegjës për të gjitha trazirat në rajon, duke armatosur dhe forcuar milicitë dhe grupet terroriste”.

Forca Kuds - krahu elitar i IRGC-së - është përgjegjëse për operacionet ushtarake dhe klandestine të Iranit jashtë vendit, si dhe mbikëqyr rrjetin e grupeve militante pro-iraniane në rajon.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG