Ndërlidhjet

Irani premton “shkeljen” e sanksioneve të SHBA-së


Presidenti iranian, Hassan Rohani
Presidenti iranian, Hassan Rohani

Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, të përshkruara nga presidenti amerikan, Donald Trump si më të “fuqishmet ndonjëherë” kundër këtij shteti, tashmë kanë nisur së aplikuari duke goditur sektorin iranian të energjisë dhe sektorëve financiarë.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë ndonjë njoftim për sanksionet që kanë nisur të zbatohen në orët e para të 5 nëntorit dhe të cilat janë cilësuar si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të shtuar presionin ndaj Teheranit që të “ndryshojë qasjen” dhe t’iu japë fund atyre që SHBA-ja i cilëson si aktivitete të “dëmshme” të këtij shteti në rajon.

Në kuadër të valës së re të sanksioneve, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar konsumatorët e Iranit që të ndalin blerjen e naftës iraniane sepse në të kundërtën do të përballen me ndëshkime amerikane, pavarësisht se për tetë shtete ka hequr masën e sanksioneve për 180 ditë, duke iu mundësuar importimin e naftës nga Irani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani është përgjigjur menjëherë pas aplikimit të sanksioneve në shtetin e tij, duke thënë për televizionin shtetëror se Irani është duke u përballur me “gjendje lufte”.

Ai po ashtu është zotuar që Irani me “krenari do të anashkalojë” sanksionet amerikane për të shitur naftë.

“Amerika dëshiron që të ndalim plotësisht shitjen e naftës, mirëpo ne do të vazhdojmë shitjen e saj, do të shkelim sanksionet”, është shprehur presidenti iranian.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian ka prezantuar disa pamje të sistemeve ajrore për mbrojtje, të cilat janë përfshirë në stërvitjet ushtarake dyditore në veri të Iranit.

Sanksionet amerikane më të ashpra ndonjëherë

Presidenti Trump i ka cilësuar sanksionet ndaj Iranit më të ashprat ndonjëherë.

“Do ta shohim se çfarë do të ndodhë me Iranin. Mirëpo ata nuk i kanë punët mirë”, ka thënë ai, duke iu referuar aspektit ekonomik të këtij shteti, i cili duket se dëmtuar se pasojë e valës së parë të sanksioneve të SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin kanë thënë më 2 nëntor se pavarësisht sigurimit të masave lehtësuese për disa shtete, Uashingtoni do të zbatojë sanksionet në “mënyrë agresive”.

Pompeo ka thënë se vendet që do të kenë lehtësira nga sanksionet në gjashtë muajt vijues janë: Kina, India, Koreja Jugore, Turqia, Italia, Greqia, Japonia dhe Tajvani.

Në një intervistë për programin Fox News më 4 nëntor, Pompeo ka thënë se kombeve që do të përjashtohen nga sanksionet “u duhet edhe pak kohë për të ndalur plotësisht blerjen e naftës iraniane”.

Ai madje nuk e ka përjashtuar mundësinë që administrata amerikane të zgjasë këto masa për më shumë se gjashtë muaj.

Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer sanksionet e tërhequra pas nënshkrimit të paktit bërthamor të vitit 2015, i cili parasheh lirim të Iranit nga sanksionet ndërkombëtare në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Presidenti amerikan është tërhequr nga pakti bërthamor në muajin maj dhe ka rivendosur sanksionet duke shënjestruar ekonominë iraniane që nga muaji gusht, duke thënë se kushtet e marrëveshjes nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për të parandaluar Iranin që të mos zhvillojë armë bërthamore.

Përveç tjerash, autoritetet amerikane e akuzojnë Teheranin edhe për mbështetje të dhunës së kryer nga militantët në rajon dhe për aktivitete tjera “të dëmshme”.

Irani në anën tjetër ka hedhur poshtë vazhdimisht këto akuza.

Pas valës së parë të sanksioneve, ekonomia e Iranit është goditur rëndë pasi ajo ka prekur valutën e këtij shteti, çka ka rezultuar me protesta në qytetet iraniane.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG