Irani tha se nuk do të dërgojë forca në Liban ose në Rripin e Gazës për të luftuar kundër Izraelit mes sulmeve të intensifikuara ndaj Hezbollahut – një grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit.
Nga sulmet e Izraelit në Liban është vrarë lideri i grupit militant, Hassan Nasrallah, dhe disa nga anëtarët e tjerë të lartë të këtij grupi, duke shtuar shqetësimet se konflikti mund ta përfshijë të gjithë rajonin.
“Nuk ka nevojë të dërgojmë forca shtesë ose vullnetare nga Republika Islamike e Iranit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani, më 30 shtator, duke shtuar se Libani dhe luftëtarët në territoret palestineze “kanë aftësinë dhe forcën për ta mbrojtur veten kundër agresionit”.
Deklarata e Kananit erdhi pasi Naim Qassem, zëvendësshefi i Hezbollahut – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka përfshirë vetëm krahun e tij të armatosur në listën e zezë, por jo partinë politike – tha se një zëvendësues për Nasrallah do të gjendet “shumë shpejt”.
Në mesazh, ai tha se përzgjedhja do të bëhej sipas procedurave të rregullta të Hezbollahut. Ai nuk dha detaje të mëtejshme. Partia politike e Hezbollahut ka vende në parlamentin libanez.
Nasrallah u vra javën e kaluar në një sulm ajror izraelit në qendrën jugore të komandës së Hezbollahut. Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, vizitoi zyrën e Hezbollahut në Teheran më 30 shtator “për ta nderuar” Nasrallahun, sipas faqes zyrtare të qeverisë.
Sulmet ajrore të Izraelit vazhduan edhe më 30 shtator, me një goditje në qendër të Bejrutit për herë në gati një vit konflikt me Hezbollahun, që filloi pasi një grup tjetër i mbështetur nga Irani, i njohur si Hamas – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – nisi një operacion kundër Izraelit që vrau rreth 1.200 persona dhe mori peng 250 të tjerë, të cilët u dërguan në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite gjithashtu ka zgjeruar sulmet e saj ndaj grupeve militante të mbështetura nga Irani, duke goditur qytetin e Hodeidës në Jemen, të mbajtur nga rebelët Huthi aleatë me Teheranin. Izraeli intensifikoi edhe sulmet ajrore në bastionet e Hezbollahut në jug të Bejrutit dhe në zona të tjera në Liban, duke rritur frikën në mesin e liderëve globalë për një luftë rajonale në Lindjen e Mesme.
Humbjet e pësuara nga Hezbollahu duket se janë më të rëndat që nga krijimi i grupit militant në vitin 1982 me ndihmën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për ta frenuar një pushtim izraelit të Libanit.
Nasrallahu u bashkua me Hezbollahun për të luftuar në atë konflikt dhe në vitin 1992 u bë udhëheqësi i tij, duke e ndërtuar grupin në forcën më të fuqishme ushtarake dhe politike të Libanit.