Sepideh, një mjeke e moshës së mesme, e braktisi Iranin për të përfituar nga pagat më të larta dhe kushtet më të mira jetësore që iu ofruan jashtë vendit.
Pasi u zhvendos së pari në Oman, shtetin e Gjirit, nëna beqare së fundmi u zhvendos në Finlandë, ku tani jeton me fëmijën e vet.
“Kushtet e punës [në Iran] ishin të vështira”, tha Sepideh për Shërbimin Farda të Radios Evropa e Lirë, e cila nuk e zbuloi emrin e plotë për shkak të frikës për sigurinë e familjes së saj në Iran.
“Nuk e kisha sigurinë [financiare] për ta dërguar fëmijën tim në një shkollë të mirë. Ata i tregonin fëmijës tim gjëra që unë si nënë nuk dua që [fëmija im] t’i dëgjojë”, shtoi ajo, duke iu referuar shkollave shtetërore, të cilat akuzohen se po promovojnë propagandë fetare dhe ideologjike.
Sepideh është në mesin e mijëra profesionistëve shëndetësorë të Iranit, të cilët e kanë braktisur atdheun në vitet e fundit, kryesisht për shkak të krizës së thellë ekonomike, kushteve të vështira të punës dhe mungesës së lirive politike dhe shoqërore.
Mediat iraniane kanë raportuar se rreth 16.000 mjekë, përfshirë specialistë, janë larguar nga Republika Islamike që nga viti 2020, duke bërë që të ketë paralajmërime për një krizë në shëndetësinë publike.
Ky eksod u përshkallëzua pas pandemisë së koronanvirusit, e cila pati ndikim të madh te punëtorët shëndetësorë.
Irani ishte ndër vendet më të prekura në botë nga koronavirusi, pasi regjistroi mbi 146.000 vdekje.
Mjekët janë sulmuar nga autoritetet, po ashtu, për shkak se i trajtuan protestuesit gjatë demonstratave mbarëkombëtare kundër Qeverisë, të cilat e goditën vendin në shtator 2022, pas vdekjes së një gruaje në paraburgim, e cila gjoja e kishte shkelur ligjin e Iranit për bartjen e detyrueshme të shamisë së kokës.
Për mjeken Sepideh, vendimi i vështirë për t’u larguar nga atdheu ishte kryesisht financiar.
“Rrogat nuk na i paguanin me kohë, nuk kishim ku të ankoheshim për kushtet tona të punës. Nuk kishte siguri në punë dhe taksat ishin të larta”, theksoi ajo.
Sepideh tha se kushtet jetësore të mjekëve janë përkeqësuar në vitet e fundit për shkak të inflacionit dhe rënies së vlerës së rialit, monedhës kombëtare të Iranit. Sanksionet ndërkombëtare dhe keqmenaxhimi qeveritar e kanë dëmtuar ekonominë iraniane, duke ndikuar në rritjen e varfërisë dhe papunësisë.
“Paga që e fiton këtu [në Evropë] është e mjaftueshme për të jetuar. Këtu ke liri shoqërore”, nënvizoi ajo.
Sepideh theksoi, po ashtu, se lufta e gjerë e autoriteteve ndaj grave të cilat e shkelin ligjin e vendit për hixhabin, është duke i detyruar disa mjeke të largohen nga atdheu i tyre.
“Shumë prej kolegeve të mia u arrestuan për shkak të hixhabit. Njëra ishte gjinekologe. Të gjitha klientet e saj ishin gra. Por, ajo u arrestua dhe u mor në pyetje nga Ministria e Inteligjencës”, tregoi ajo.
Shumë gra janë duke e shpërfillur ligjin detyrues për shaminë e kokës – i cili është simbol i rëndësishëm në Republikën Islamike – qëkur protestat gjithëkombëtare shpërthyen pas sjelljes me forcë të ligjit për hixhabin dhe mungesës së lirive në Iran.
Të paktën 500 protestues mbetën të vdekur si pasojë e aksioneve brutale të shtetit gjatë demonstratave.
Mungesë e madhe
Autoritetet thanë se rreth 3.000 mjekë, përfshirë 160 kardiologë, dhe gati 800 infermiere, kërkuan punë jashtë vendit vitin e kaluar.
“Vendi po mbetet pa mjekë”, tha Mohammad Raeeszadeh, kryetar i Këshillit Mjekësor të Republikës Islamike të Iranit, gjatë një tubimi të kirurgëve në fillim të këtij muaji.
Ai tha se pagat e ulëta i kanë shtyrë mjekët iranianë të kërkojnë “paga më të larta” jashtë vendit, posaçërisht në shtetet e Gjirit të pasura me naftë.
Zyrtarët kanë paralajmëruar për një mungesë të madhe të mjekëve, edhe pse është e paqartë nëse Qeveria ka marrë hapa për ta ndalur këtë eksod. Disa zyrtarë kanë sugjeruar se Irani mund të kërkojë mjekë jashtë vendit.
Irani është përballur me një mungesë të madhe të profesionistëve të kualifikuar që nga Revolucioni më 1979, i cili e solli në pushtet Qeverinë e tanishme. Raportohet se rreth 200.000 profesionistë të kualifikuar kanë ikur nga vendi në dekadat e fundit, shumica e tyre në Perëndim.
Shahram, mjek specialist, u zhvendos në Kanada vitin e kaluar, pasi kushtet e jetës në atdheu iu përkeqësuan. Ai tha se në Iran i fitonte rreth 20.000 dollarë në vit, edhe pse me rritjen e inflacionit dhe çmimeve, standardi i jetesës së tij ra në mënyrë dramatike në vitet e fundit.
“Frikësohesha për të ardhmen time profesionale. Mjekët kanë nevojë për përkrahje [nga Qeveria]”, tha Shahram, i cili e zbuloi vetëm emrin e parë.
Sepideh tha se humbja e mjekëve specialistë është shqetësuese në veçanti.
“Ne po humbim shumë specialistë çdo vit. Ata janë thesari i vërtetë i vendit tonë”, tha ajo.