Ndërlidhjet

Irani thotë se ka skaduar marrëveshja me inspektorët e OKB-së


Centrifugat në uzinën bërthamore Natanz të Iranit.
Centrifugat në uzinën bërthamore Natanz të Iranit.

Kryetari i Parlamentit iranian tha të dielën se marrëveshja tremujore ndërmjet Teheranit dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara për monitorim bërthamor ka skaduar, duke përshkallëzuar tensionet dhe përpjekjet diplomatike për ta shpëtuar marrëveshjen bërthamore, që Irani ka arritur me fuqitë botërore.

“Prej 22 majit dhe me përfundimin e marrëveshjes tremujore, agjencia më nuk ka qasje që të mbledh të dhëna nga kamerat që gjenden brenda ndërtesave bërthamore, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshje”, citohet të ketë thënë kreu i Parlamentit iranian, Baqer Qalibaf.

Komentet e Qalibafit minojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera botërore, që të arrijnë një marrëveshje me Iranin. Teherani veçse ka nisur pasurimin e uraniumit në nivele që tejkalojnë kufizimet e vendosura në marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) gjatë kësaj jave tha se po zhvillonte biseda me Teheranin se si të vazhdojnë tutje me marrëveshjen për monitorim. ANEB-i tha se drejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, do të deklarohet për këtë temë gjatë të dielës.

Sipas të ashtuquajturit “Protokoll Shtesë” me Iranin, ANEB “mbledh dhe analizon qindra dhe mijëra imazhe që bëhen çdo ditë nga kamera të sofistikuara”, kishte thënë kjo agjenci më 2017.

Në dhjetorin e kaluar, në Parlamentin iranian u miratua një projektligj që mundëson pezullimin e një pjese të inspektimeve të kryera nga OKB-ja në ndërtesat bërthamore të Iranit, nëse vendet evropiane – nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – nuk ofronin lehtësime deri në shkurtin e këtij viti, për naftën, por edhe sanksionet bankare.

Më pas, ANEB arriti një marrëveshje tremujore me Teheranin që të përdorë imazhet nga kamerat e vendosura brenda centraleve bërthamore, ndërkaq Teherani kërcënojë se do t’i fshijë këto imazhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Ende është e paqartë nëse Irani ka fshirë imazhet e marra nga centralet bërthamore që nga muaji shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG