Ndërlidhjet

Irani heq dorë pjesërisht nga marrëveshja bërthamore


Presidenti iranian, Hasan Rohani.
Presidenti iranian, Hasan Rohani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë se Republika Islamike do të rifillojë pasurimin e uraniumit, nëse fuqitë botërore nuk mbrojnë interesat e këtij shteti kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Adresimi televiziv i Rohanit është transmetuar më 8 maj nga televizioni shtetëror, teksa është shënuar njëvjetori i largimit të SHBA-së nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Rohani ka thënë se nënshkrueset tjera të marrëveshjes, Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia kanë 60 ditë për të marrë masa për mbrojtjen e sektorit të naftës iraniane dhe atë bankar.

Rohani u ka nisur shkresa liderëve të pesë shteteve, duke thënë se Irani do të fillojë të mos përmbushë në tërësi marrëveshjen e vitit 2015 dhe nuk do të eksportojë uranium të pasuruar dhe as ujë të rëndë te kombet tjera, ashtu siç është e përcaktuar në marrëveshje.

Më herët gjatë ditës, mediat shtetërore iraniane kanë raportuar se letrat u janë dërguar ambasadorëve të pesë kombeve që janë pjesë e marrëveshjes bërthamore.

“Nëse pesë shtetet u bashkohen negociatave dhe i ndihmojnë Iranit që të përfitojë nga fusha e naftës dhe ajo bankare, Irani do ta zbatojë në tërësi marrëveshjen”, ka thënë Rohani.

Megjithatë Rohani ka paralajmëruar për një “reagim të ashpër” nëse liderët evropianë vendosin më shumë sanksione ndaj Iranit përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif po ashtu ka thënë përmes një postimi në Twitter se “pas një viti të durimit, Irani u ka dhënë fund masave, të cilat i ka bërë të pamundshme SHBA-ja, për t’i vazhduar”.

Pak pas fjalimit të Rohanit, ministri francez i Mbrojtjes, Florence Parly ka thënë se Franca dëshiron të mbajë gjallë marrëveshjen bërthamore dhe ka paralajmëruar se nëse Irani nuk zbaton në tërsi marrëveshjen atëherë mund të vendoset një mekanizëm që nuk përjashton sanksionet.

Duke folur për televizionin, BFM, Parly ka thënë se asgjë nuk do të ishte më e keqe sesa largimi i Iranit nga marrëveshja bërthamore.

Marrëveshja e vitit 2015, i ka siguruar Iranit lirim nga sanksionet ndërkombëtare në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar të maj të vitit të kaluar se do ta largojë SHBA-në nga kjo marrëveshje, duke e cilësuar atë të mangët, meqë sipas tij nuk përfshin zhvillimin e raketave balistike të Teheranit dhe mbështetjen për disa rrjete në Lindje të Mesme.

Uashingtoni po ashtu ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj këtij shteti, duke i dëmtuar rëndë ekonominë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, ka thënë se pavarësisht hapave amerikanë, Teherani ka vazhduar të zbatojë marrëveshjen.

Kjo agjenci funksionon në kuadër të OKB-së për të monitoruar aktivitetet bërthamore të Iranit.

Mbështetësit evropianë të marrëveshjes kanë tentuar të ruajnë këtë dokunent, mirëpo Teherani është ankuar se procesi ka qenë shumë i ngadalshëm.

Tensionet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur prej kur SHBA-ja është tërhequr nga ky dokument, dhe prej kur kjo e fundit ka rritur presionin ndaj Iranit.

Muajin e kaluar, administrata e SHBA-së ka njoftuar se nuk do të vazhdojë masat lehtësuese për importuesit e naftës iraniane, duke i kërcënuar të gjitha shtetet me sanksione amerikane, me synimin e dërgimit në zero të eksporteve të naftës iraniane.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare dhe Shtëpia e Bardhë kanë njoftuar më 5 maj edhe për pozicionimin e disa pajisje ushtarake në Lindje të Mesme në përgjigjje të “paralajmërimeve shqetësuese dhe përshkallëzuese” të Iranit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG