Ndërlidhjet

Irani fton për vizitë shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike


Irani fton për vizitë shefin e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore.
Irani fton për vizitë shefin e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore.

Ministria e Jashtme e Iranit ka paralajmëruar se së shpejti këtë vend do ta vizitojë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

“Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) është ftuar të udhëtojë në Teheran. Është caktuar një datë në lidhje me këtë dhe ne presim përgjigjen e tij. Ai do të vizitojë Iranin ndoshta së shpejti”, tha zëdhënësi i ministrisë, Saeed Khatibzadeh.

Grossi pritet të takohet me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian dhe shefin e energjisë atomike të vendit.

Javën e kaluar, Grossi tha se mungesa e kontaktit me Qeverinë iraniane "është e habitshme".

"Ka një listë të gjatë të temave që duhet të diskutojmë", tha ai.

Hera e fundit që ai kishte vizituar Teheranin ishte muaji shtator.

Vizita e mundshme e tij në Teheran mund të ndodhë para datës 29 nëntor kur në Vjenë të Austrisë pritet të rifillojnë bisedimet mes Iranit dhe fuqive botërore, me pjesëmarrjen indirekte të Shteteve të Bashkuara, për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 e cila kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe Irani që atëherë ka rritur vazhdimisht aktivitetin në programin e tij bërthamor, duke përfshirë zgjerimin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar.

Pasardhësi i Trumpit, presidenti amerikan, Joe Biden, ka shprehur interes për t'u ribashkuar me paktin nëse Irani fillon zbatimin e plotë të tij.

Megjithatë, negociatat indirekte midis nënshkruesve të marrëveshjes që filluan në prill në Vjenë u pezulluan në qershor pasi Republika Islamike zgjodhi si president të vijës së ashpër Ibrahim Raisin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG