Ndërlidhjet

Irani po bën llogaritje me situatën në Afganistan


Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif (djathtas) takohet me përfaqësues të talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar në Teheran më 31 janar 2021.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif (djathtas) takohet me përfaqësues të talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar në Teheran më 31 janar 2021.

Zyrtarët iranianë po i bëjnë me kujdes llogaritjet e tyre sa i takon situatës së re në Afganistan.

Marrja e shpejt e kontrollit të këtij vendi, nga ana e talibanëve, ka ngritur shqetësimet për një sërë çështjes përfshirë paqëndrueshmërinë e këtij vendi, fluksin e mundshëm të refugjatëve dhe krijimin e një baze të grupeve ekstremiste si Shteti Islamik (IS) në fqinjin lindor të Iranit.

Në vitet e fundit, Teherani kishte kultivuar lidhje të afërta me talibanët, përfaqësuesit e të cilëve e kanë vizituar Iranin. Por, që nga marrja e kontrollit të Afganistanit nuk ka pasur ndonjë kontakt publik mes zyrtartëve iranian dhe militantëve talibanë.

Në deklaratat e tyre të shkurtëra pas rënies së kryeqytetit afgan në duart e talibanëve, presidenti i ri i Iranit, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm në largim, Mohammad Javad Zarif, nuk i kanë përmendur në mënyrë direkte talibanët.

"Mposhtja ushtarake dhe tërheqja e SHBA-së nga Afganistani duhet të ofrojnë një mundësi për të rikthyer jetën, sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në atë vend", u citua t’i ketë thënë Raisi presidentit afgan Ashraf Ghani më 16 gusht.

Pak më herët, kryediplomati iranian, Javad Zarifi shkroi në rrjetin social Twitter se "ashtu sikurse pushtimi, dhuna dhe lufta kurrë nuk zgjidhin probleme". Ai mirëpriti një njoftim të ish-presidentit afgan, Hamid Karzai, për mundësinë e formimit të një "këshilli koordinues nga udhëheqësit afganë".

Zarifi tha se iranianët shpresojnë se ky veprim "mund të çojë në dialog dhe një tranzicion paqësor në Afganistan dhe se Irani është i gatshëm të vazhdojë përpjekjet e tij për paqe".

Sipas analistëve, në këtë situatë, Irani po synon që të mbrojë sa më mirë interesat e tij pasi ky vend ka treguar një pozicion balancues duke ofruar mbështetje publike për qeverinë afgane, por në anën tjetër ka zhvilluar raporte me talibanët.

Më herët Irani ka thënë për talibanët se janë "pjesë e realitetit të sotëm të Afganistanit" dhe tha se ky grup duhet të jetë "pjesë e zgjidhjes së ardhshme" në vendin e shkatërruar nga lufta.

"Udhëheqja iraniane i është gëzuar tërheqjes së SHBA -së nga Afganistani duke e vlerësuar si një fitore për popullin afgan, dhe kjo nënkupton edhe një njohje të talibanëve", thotë për Radion Evropa e Lirë, Shahram Akbarzadeh, profesor i politikës së Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore në Universitetit Deakin të Australisë.

Sipas tij, Teherani po shpreson qe të ketë "raporte profesionale nëse jo të përzemërta" me qeverinë e ardhshme të Afganistanit. Ekzistojnë shqetësime se talibanët do të mbajnë qëndrime anti-shiite, pastaj do të persekutojnë pakicën Hazara dhe do të miratojnë politika anti-Iran.

"Kjo do të paraqiste jashtëzakonisht shqetësim për Iranin. Sa i takon pikëpamjes gjeostrategjike, kjo do të lehtësonte ndikimin saudit në Afganistan. Një qeveri anti-shiite dhe anti-iraniane në Afganistan mund të paraqesë sfida serioze të sigurisë për Iranin dhe ta bëjë territorin afgan një strehë për grupet terroriste anti-Iran", tha ai.

Një hulumtues me bazë në Teheran, i cili kërkoi të mbetet anonim tha se Irani po shfaqë një ekuilibër midis "qëndrimit anti-amerikan dhe ruajtjes së interesave të tij kombëtare, përfshirë sigurinë në kufijtë e tij”.

Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, citoi ish- të ngarkuarin me punë të Iranit në Afganistan, Abdolmohammad Taheri, të thoshte më 18 gusht se vendi i tij posedon "autoritetin" si dhe përvojën me grupe të ndryshme në Afganistan në mënyrë që të ushtrojë presion ndaj talibanëve por edhe duke e mbajtur Iranin të sigurt.

Taheri e përshkroi tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani si një "tradhti" që i hapi rrugën ofensivës së talibanëve.

Ai shtoi se Teherani do të përballet me "pasojat më negative" përfshirë një fluks refugjatësh që sipas tij mund të përfshijë edhe anëtarë të grupeve terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Kaida.

Irani dhe Afganistani ndajnë një kufi rreth 900 kilometra. Në Iran tashmë janë 3 milionë afganë, thotë agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Taheri tha se Irani nuk mund të tolerojë një armik të tillë si Shtetet e Bashkuara në kufijt e tij. Por, sipas tij, Teherani dhe talibanët nuk kanë ndonjë afërsi mes vete.

Irani dhe talibanët kanë qenë armiq të përbetuar. Në vitin 1998 shtatë diplomatë iranianë dhe një gazetar u vranë në qytetin verior afgan të Mazar-e Sharif pasi u pushtua nga ana e talibanëve. Megjithatë viteve të fundit Irani dhe Talibanët kanë krijuar lidhje.

Ekzistojnë gjithashtu informacione se Teherani u ka ndihmuar talibanëve me armë për të luftuar forcat qeveritare, mirëpo pretendime të tilla janë mohuar nga zyrtarët iranianë.

Ministria e Jashtme e Iranit u bëri thirrje talibanëve që të ofrojnë siguri për stafin iranian në konsullatën në Herat pasi militantët pushtuan qytetin perëndimor afgan më 13 gusht.

Teherani tha më 17 gusht se stafi i tre nga pesë misioneve të tij në Afganistan po punon nga Kabuli ndërsa shtoi se e ka zvogëluar në mënyrë drastike numrin e stafit.

Në një njoftim tjetër më 17 gusht, Irani tha se Ambasada e këtij vendi në Kabul ende po funksionon. Aty janë funksionale edhe ambasadat e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.

Shumë njerëz brenda Iranit e kanë parë ofensivën e talibanëve me shqetësim. Disa nga afganët që jetojnë në Iran kanë organizuar protesta në Teheran dhe në qytetet Isfahan dhe Qom në të cilat disa brohorisnin "vdekje talibanëve".

Sundimi i talibanëve nga viti 1996 deri në vitin 2001 u shënua me veprime të tmerrshme dhe shkelje serioze të të drejtave të njeriut, përfshirë shkeljen e të drejtave më themelore për gratë.

Udhëheqësi fetar sunit, Molavi Abdol Hamid, nxiti polemika pasi lavdëroi marrjen nën kontroll të Afganistanit nga ana e talibanëve. Ai pretendonte se pikëpamjet e grupit kanë ndryshuar në 20 vitet e fundit.

"Nëse ka mangësi ato mund të përmirësohen, por pikëpamjet e tyre kanë ndryshuar", tha Abdol Hamid, udhëheqësi fetar në qytetin juglindor të Zahedan në Provincën Sistan-Baluchistan, më 17 gusht.

Mirëpo gjatë javëve të kaluara klerikët tjerë, përfshirë Ajatollahun e Madh Safi Golpayegani, kanë thënë se talibanëve nuk duhet besuar.

"Do të ishte një gabim i rëndë t'iu besosh talibanëve të cilët kanë një histori të mizorive dhe vrasjeve", tha Golpayegani në muajin korrik.

Ndërkohë, Ajatollah Asadollah Bayat Zanjani, në fillim të këtij muaji u tërhoqi vërejtjen atyre që përpiqen t'i minimizojn, siç tha, politikat e “dhunshme, radikale dhe terroriste" të talibanëve.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG