Ndërlidhjet

Çfarë ndodh tash midis Iranit dhe SHBA-së?


Disa qytetarë në Irak shikojnë lajmin për sulmin e Iranit ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Irak.
Disa qytetarë në Irak shikojnë lajmin për sulmin e Iranit ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Irak.

Sulmet e Iranit me raketa balistike kundër caqeve amerikane në Irak i kanë rritur shqetësimet globale për një konflikt të armatosur në Lindjen e Mesme, që do të mund të dilte jashtë kontrollit.

Thomas Warrick, ekspert në Këshillin e Atlantikut, institut me seli në Uashington, tha se çështja kryesore tani është nëse sulmet e Iranit kanë shkaktuar ndonjë viktimë amerikane.

“Presidenti (amerikan, Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë kur ka thënë se shkaktimi i viktimave amerikane është vijë e kuqe për të”, tha Warrick për Zërin e Amerikës, derisa Pentagoni është ende duke vlerësuar dëmet.

“Bota mund të zgjohet në një situatë, ku Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në luftë, ose ndoshta në tensione më të larta”, tha Warrick.

*Video: Pamje nga sulmi iranian në bazat ushtarake në Irak

Pamje nga sulmi iranian në bazat ushtarake në Irak
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:19 0:00

Trump, menjëherë pas sulmeve me raketa, shkroi në Twitter se “gjithçka është në rregull”.

Kryeministri i Irakut, Adil Abdul-Mahdi, tha se qeveria e tij nuk ka marrë raporte për viktima në mesin e forcave irakiane apo të atyre ndërkombëtare, që udhëhiqen nga SHBA-ja.

Zyrtarët në Britani, Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë dhe Finlandë po ashtu konfirmuan se asnjë prej trupave të tyre në Irak nuk është vrarë apo plagosur nga raketat e Iranit.

Televizioni shtetëror i Iranit, pa ofruar ndonjë provë, tha se sulmet kanë vrarë “së paku 80 ushtarë terroristë amerikanë”.

Burimi i njëjtë tha se sulmet në bazën Ain al-Asad, në perëndim të Irakut, kanë dëmtuar edhe helikopterë, dronë dhe pajisje të tjera.

Në këtë bazë ndodhen forca amerikane dhe britanike.

Sikur të kishte viktima të konsiderueshme amerikane, Warrick tha se Trump, padyshim, do të urdhëronte sulme në tokën iraniane.

“Ai me gjasë do t’i sulmonte vendet nga të cilat janë hedhur raketat dhe objekte të tjera ushtarake që njihen mirë nga Shtetet e Bashkuara”, tha Warrick, për të shtuar:

“Është shumë e mundshme që ushtritë e Iranit dhe SHBA-së të nisin të luftojnë njëra-tjetrën në ditët e ardhshme”.

“Zyrtarët amerikanë kanë qenë jashtëzakonisht të qartë se çdo sulm që vret amerikanë do të marrë përgjigje nga forca ushtarake e SHBA-së. Do të jetë një nivel force me të cilën Irani thjesht nuk do të mund të matet”, tha Warrick.

Steven David, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin John Hopkins, tha se është e rëndësishme që dihet se raketat janë hedhur nga territori iranian, sepse burimi është i qartë dhe i pamohueshëm.

David po ashtu tha se përdorimi i raketave balistike dhe jo i atyre me rreze të shkurtër paraqet një “përshkallëzim”.

“Raketa balistike ka përmasa më serioze se një raketë”, tha David për Zërin e Amerikës. “Kur mendojmë për raketa balistike, mendojmë edhe për raketa bërthamore, të cilat Irani, për fat të mirë, nuk i ka”, tha David.

I pyetur nëse ka ndonjë rrugë që Uashingtoni dhe Teherani t’i ulin tensionet, David tha se Irani ka dërguar mesazh se nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj asaj që e konsideron si provokim amerikan.

“Mendoj se tani duhet të pritet hakmarrja amerikane. Pastaj, pres që aleatët amerikanë në Evropë, Kombet e Bashkuara dhe të tjerët të thonë se është koha të ndalen këto armiqësi”, tha David.

“Është vështirë për mua të imagjinoj se Amerika do të qëndrojë duke mos bërë asgjë”, tha po ashtu David dhe shtoi se sulmet e tjera të SHBA-së “do të mund ta detyronin Iranin të kryente sulme kundër Arabisë Saudite dhe Izraelit ose të bënte përpjekje për sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara”.


“Kjo është shumë e frikshme. Keni dy liderë, të dy vendeve, asnjëri prej të cilëve nuk dëshiron të zmbrapset. Ata janë të armatosur me të gjitha llojet e armëve”, tha David.

Udhëheqësit botërorë i kanë bërë thirrje edhe Uashingtonit, edhe Teheranit të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë daljen e situatës jashtë kontrollit.

Reagimet fillestare nga aleatët amerikanë pasqyrojnë pak dëshirë për një luftë tjetër të plotë në Lindjen e Mesme.

Qeveria e Britanisë i dënoi sulmet e Iranit, duke paralajmëruar se një luftë e re në Lindjen e Mesme do të ushqente terrorizmin.

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se Berlini “e kundërshton këtë agresion në termat më të fuqishëm të mundshëm”.

Kramp-Karrenbauer tha se "tani është detyrë e iranianëve që të mos përfshihen në përshkallëzim të mëtejshëm".

Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhail al-Mazruei, tha se edhe Uashingtoni, edhe Teherani duhet të ushtrojnë përmbajtje.

Garda Revolucionare e Iranit tha se ka kryer sulmet në përgjigje të vrasjes së komandantit të forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, në një sulm të SHBA-së, më 3 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se veprimi i Iranit "ishte vetëmbrojtje e ligjshme” dhe se “Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin vlerësimin bazuar në iluzione".

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG