Ndërlidhjet

Irani thotë se nuk do përshkallëzim rajonal, por Izraeli “duhet të ndëshkohet”


Zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Naser Kanaani. Fotografi nga arkivi.
Zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Naser Kanaani. Fotografi nga arkivi.

Irani nuk po kërkon përshkallëzim të tensioneve rajonale, por beson se Izraeli duhet të ndëshkohet në mënyrë që të parandalohet paqëndrueshmëria e mëtejme.

Kështu tha më 5 gusht zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, pasi javën e kaluar në Teheran u vra shefi politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – Ismail Haniyeh.

“Irani kërkon që të ketë stabilitet në rajon, por kjo mund të arrihet vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe të krijohet parandalim kundër aventurizmit të regjimit zionist [Izraelit]”, tha zëdhënësi Nasser Kanaani, duke shtuar se kundërpërgjigja nga Teherani është e pashmangshme.

Kanaani i bëri thirrje Uashingtonit që të mos e mbështesë më Izraelin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të mbrojë stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë “ndëshkimin e agresorit”.

Edhe komandanti kryesor i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Hossein Salami, sërish tha të hënën se Izraeli “do të ndëshkohet”.

Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin, sikurse Hamasi dhe Hezbollahu, kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. Zyrtarët izraelitë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG