Ndërlidhjet

Irani raportohet se ka ekzekutuar shtatë persona


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Irani ka ekzekutuar edhe shtatë persona në dy burgje jashtë Teheranit, të akuzuar për krime që lidhen me drogën dhe përdhunim, tha një grup i të drejtave të njeriut më 10 maj. Aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se Irani në dy javët e fundit kanë varur disa të dënuar.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për numrin “e frikshëm” të lartë të ekzekutimeve në Iran, pasi të hënën autoritetet iraniane njoftuan për ekzekutimin e dy burrave që ishin të dënuar për blasfemi.

Tre persona u ekzekutuan në burgun Gezal Hesari në Karaxh, afër Teheranit, nën akuza për trafikim droge, tha organizata Iran Human Rights, me seli në Norvegji.

Kjo organizatë tha se edhe katër burra u varën në burgun Raxhai Shah në Karaxh. Që të katërt ishin të dënuar për përdhunim.

Ueb-faqja e gjyqësorit, Mizan, konfirmoi ekzekutimin e tre persona të dënuar për vepra që lidhen me drogë, duke theksuar se të dënuarit ishin pjesë e një karteli që shpërndante kokainë. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për katër të ekzekutuarit, që ishin të dënuar për përdhunim.

Sipas Iran Human Rights, në 12 ditët e fundit, në Iran janë ekzekutuar 64 persona.

“Makina vrasëse e Qeverisë po përshpejtohet. Qëllimi i saj është të frikësojë popullin dhe viktimat e saj janë pjesa më e dobët e shoqërisë”, tha drejtori i kësaj organizate, Mahmood Amiry Moghaddam.

Iran Human Rights po ashtu ka shpërndarë pamje ku shihen familjarët e tre të ekzekutuarve në burgun Gezel Hasar, që kanë protestuar me synimin që të ndalin ekzekutimet. Në videon dëgjohen të shtëna dhe policia shihet duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestën. Një person është hospitalizuar, ndërkaq disa të tjerë po ashtu kanë marrë lëndime.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Iranin se po përdor dënimin me vdekje si mjet për të frikësuar publikun, pas protestave masive që shpërthyen shtatorin e kaluar, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje të re, që ishte ndaluar nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së shamisë së kokës.

Vitin e kaluar, në Iran u ekzekutuan të paktën 582 persona, që paraqet numrin më të lartë të ekzekutimeve që nga viti 2015, kanë raportuar organizatat joqeveritare.

Por, numri i ekzekutimeve është rritur këtë vit, me Iran Human Rights që ka raportuar se vetëm deri më tani gjatë këtij viti janë ekzekutuar 218 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG