Ndërlidhjet

Negociatori iranian në Vjenë për bisedimet për marrëveshjen bërthamore


Takimet në Vjenë për marrëveshjen bërthamore. 26 janar 2022.
Takimet në Vjenë për marrëveshjen bërthamore. 26 janar 2022.

Kryenegociatori i Iranit për çështje bërthamore, Ali Bagheri Kani, është nisur për në Vjenë në përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore që Teherani ka nënshkruar më 2015 me fuqitë botërore.

Ministria e Jashtme e Iranit i tha medias shtetërore më 3 gusht se bisedimet do të koordinohen nga Bashkimi Evropian dhe se “idetë e prezantuara nga palë të ndryshme do të diskutohen”.

BE-ja është negociatori kryesor i bisedimeve indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Bisedimet kanë për qëllim që të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Brukseli ka thënë se të dy palët ishin afër arritjes së një marrëveshjeje, para se bisedimet të ngecnin në mars.

Që nga tërheqja e njëanshme e SHBA-së nga marrëveshja, Teherani gradualisht ka nisur të shkelë parimet e marrëveshjes.

Muajin e kaluar, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar se ka propozuar një draft të ri për ringjalljen e marrëveshjes, e cila parashihte frenimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Më 25 korrik, Irani tha se kamerat monitoruese të vëzhguesit bërthamor të Kombeve të Bashkuara, nuk do të aktivizohen derisa të arrihet një marrëveshje.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se dëshiron të rikthehet në marrëveshjen bërthamore, por kundërshton kërkesat e Iranit që Uashingtoni të heqë nga lista e organizatave terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG