Forcat e sigurisë së Iranit kanë arrestuar nëntë aktiviste të të drejtave të grave në disa qytete në provincën veriore të Gilanit.
Ky zhvillim vjen në kohën kur autoritetet po vazhdojnë shtypjen në prag të përvjetorit të parë të vdekjes së Mahsa Aminit, e cila vdiq sa ishte në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat për veshjen e hixhabit, apo shamisë së kokës.
Në mesin e të arrestuarave më 16 gusht janë: Mateen Yazdani, Forough Sami'nia, Yasmin Hashdari, Jelve Javaheri, Zahra Dadras, Negin Rezaei, Shiva ShahSiah, dhe Vahehdeh KhoshSirat, njoftuan aktivistët përmes rrjeteve sociale.
Arsyet e arrestimit të tyre apo vendndodhja e të arrestuarve ende nuk është bërë publike dhe zyrtarët ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.
Duke folur për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, avokuesja e të drejtave të grave, Mansoureh Shojaee, tha se arrestimi i aktivisteve duket se është pjesë e një strategjie më të gjerë të udhëheqjes islamike për të menaxhuar përvjetorin e parë të vdekjes së Aminit më 16 shtator. Ajo theksoi se shumica e të arrestuarave, përfshirë Javaheri, Sami'nia dhe Yazdani, kanë qenë aktiviste për të drejtat e grave për më shumë se dy dekada.
Të paktën 500 persona janë vrarë që kur shpërthyen protestat pas vdekjes së Aminit, një grua iraniane-kurde, e cila u arrestua teksa po vizitonte Teheranit. Ajo u arrestua nën dyshimet se kishte shkelur kodet e veshjes islamike.
Protestat nisën si kundërpërgjigje ndaj zbatimit brutal të legjislacionit për veshjen e detyruar të shamisë së kokës, por shumë shpejt u shndërruan në protestat më të mëdha që nga revolucioni islamik në Iran më 1979.
Zyrtarët kanë fajësuar Perëndimin se ka nxitur protestat dhe janë zotuar se do të shtypin edhe më ashpër protestat.
Disa mijëra persona janë arrestuar, përfshirë edhe gazetarë, avokatë, aktivistë dh të tjerë .