Ndërlidhjet

Irakianët e komunitetit LGBTI+ i frikësohen propozimit për dënime me vdekje


Protestues në Bagdad të Irakut djegin një flamur të komunitetit LGBTI+ gjatë një proteste kundër djegies së një Kurani në Suedi, 22 korrik 2023.
Protestues në Bagdad të Irakut djegin një flamur të komunitetit LGBTI+ gjatë një proteste kundër djegies së një Kurani në Suedi, 22 korrik 2023.

Propozimi për ta shtuar një amendament në ligjin në Irak që do të caktonte dënimin me vdekje për marrëdhëniet homoseksuale është quajtur si “përshkallëzimi më i rrezikshëm” nga aktivistët për të drejtat e njeriut.

Në Irak, personat e komunitetit LGBTI (homoseksual, biseksual, transgjinor, ndërgjinor) veçse përballen me sulme dhe diskriminim të shpeshte.

Por, sipas një dokumenti të parë nga agjencia e lajmeve AFP, ndryshimi i një ligji kundër prostitucionit të vitit 1988, i cili kaloi një lexim të parë në parlament javën e kaluar, do t'u mundësonte gjykatave të japin “dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm” për “marrëdhënie homoseksuale”.

Homoseksualiteti, ashtu si çështjet e tjera gjinore, mbetet tabu në shoqërinë konservatore të Irakut, megjithëse asnjë ligj ekzistues nuk i ndëshkon në mënyrë eksplicite marrëdhëniet homoseksuale.

Por, anëtarët e komunitetit LGBTI+ janë ndjekur penalisht për krime të ndryshme morale dhe të prostitucionit në kodin penal të Irakut.

Irakianët e komunitetit LGBTI+ janë shënjestruar me “rrëmbime, përdhunime, torturim dhe vrasje” të pandëshkuara, sipas një raporti të vitit 2022 nga organizatat Human Rights Watch (HRW) dhe IraQueer.

Rasha Younes, studiuese e të drejtave të komunitetit LGBTI+ në HRW, e përshkroi legjislacionin e propozuar si një “hap të rrezikshëm”.

“Kjo do të thotë se jeta e individëve irakianë dhe frika e vazhdueshme nga sulmet dhe vrasjet e pandëshkuara nga grupet e armatosura tani do të bëhen vetë ligji”, tha ajo.

Agjencia e lajmeve AFP raporton se për ndryshimin e këtij ligji duket se ka mbështetje në asamblenë me shumicë islamike.

Ligjbërësi Sharif Suleiman i Partisë Demokratike të Kurdistanit tha se legjislacioni i propozuar pasqyron “vlerat tona morale dhe njerëzore dhe luftën tonë kundër fenomeneve jonormale shoqërore”.

“Ne kemi nevojë për ligje parandaluese”, i tha ai gazetës qeveritare Al-Sabah.

Sipas tekstit të parë nga AFP-ja, amendamenti do të vendoste gjithashtu një dënim minimal prej shtatë vjetësh për “promovimin e homoseksualitetit”.

Masa të tjera synojnë ta kufizojnë diskutimin publik të çështjeve gjinore. Komisioni kombëtar i mediave dhe komunikimit po shqyrton mundësinë që mediave në Irak t’u ndalohet përdorimi i termit “homoseksualitet”, tha një burim i AFP-së.

Në vend të kësaj, mediat do të këshillohen ta përdorin termin nënçmues “devijim seksual"” sipas burimit, dhe termi “gjini” gjithashtu do të ndalohet nëse masa miratohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG