Ndërlidhjet

Qindra miliona euro për investime kapitale mbeten në portofol


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Rruga Komoran - Drenas - Skënderaj, një qendër e mjekësisë familjare në Drenas, një çerdhe në komunën e Malishevës, një fushë sporti po në këtë komunë janë vetëm disa nga dhjetëra projektet kapitale të planifikuara për këtë vit, por që nuk u realizuan.

Se përse ndodhi kështu, zyrtarët komunalë në Drenas e Malishevë nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë.

Paratë për projekte kapitale në Kosovë planifikohen me buxhetin e çdo viti kalendarik.

Me buxhetin e përgjithshëm të këtij viti prej 3.3 miliardë eurosh, për investime kapitale ishin ndarë 859 milionë euro.

Prej tyre, deri në tetor, u shpenzuan rreth 215 milionë euro, sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ndërsa në portofol mbeten edhe rreth 644 milionë.

Projektet në të cilat u investua këtë vit, por edhe viteve të kaluara, përfshijnë kryesisht: ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale, blerjen e pajisjeve informative, kompjuterëve dhe automjeteve transportuese, renovimin e institucioneve publike, si: çerdhe, objekte spitalore, shkolla e të tjera.

Në katër vjetët e kaluar, nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, u ndanë gjithsej mbi 3 miliardë euro për projekte kapitale. Prej tyre u shpenzuan vetëm 1.6 miliard.

MFPT-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cila është arsyeja e mosshpenzimit të këtyre parave.

Një gjë e tillë nxiti kritika të ashpra nga opozita, e cila e konsideroi si tregues dobësie të Qeverisë Kurti.

Kjo, pavarësisht faktit se mjetet e ndara për shpenzime kapitale nuk u shpenzuan as në qeverisjet paraprake, të udhëhequra nga kryeministri Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës - tani në opozitë.

Në vitin 2017, për shembull, kur Haradinaj qeveriste në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe pakicat joserbe, u ndanë mbi 720 milionë euro për shpenzime kapitale, por u shpenzuan mbi 460 milionë.

Në çdo vit, nga 2017-ta e këndej, tepruan qindra miliona euro.

Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi më 19 nëntor raportin “Projektbuxheti 2025 - Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, ku thuhet se efikasiteti në mbylljen e investimeve nga viti 2016 deri më 2023, ishte i ulët.

Në raport theksohet se “numri i projekteve të bartura nga viti në vit vazhdon të jetë i lartë” dhe se me ndërrimin e qeverive “ndërrohen edhe prioritetet e projekteve”.

Pa saktësuar se cilat janë, raporti përmend 264 projekte kapitale, që u planifikuan gjatë periudhës 2008-2019, e që nuk përfunduan dhe u bartën në buxhetin e vitit 2025, me një shumë prej 258 milionë eurosh të ndarë për to.

GAP-i, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, publikoi edhe në dhjetor të vitit të kaluar një raport, ku u tha se me buxhetin e vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte të filluara vite më parë.

Për shembull, mbi 22 milionë euro u ndanë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, që nisi në mars të vitit 2010, ndërsa 20 milionë u ndanë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Han i Elezit - projekt ky i nisur qysh në vitin 2016.

Çka thotë opozita?

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë thonë se Qeveria aktuale ishte “më e dobëta” në realizimin e projekteve kapitale.

Ata i arsyetojnë qeverisjet e mëparshme, duke thënë se në kohën e tyre kanë nisur projektet.

“Ka shumë projekte që kjo qeveri i ka gjetur në proces dhe nuk janë afër përfundimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Mustafa nga PDK-ja.

Në mesin e tyre, ai përmend autostradën Prishtinë-Gjilan, e njëjtë thotë se janë edhe rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Podujevë, stadiumi i Gjilanit e të tjera.

“Pra, nuk ka progres dhe nuk është arritur të sigurohet një vijueshmëri e këtyre projekteve”, sipas tij.

Për Pal Lekajn nga AAK-ja, Qeveria e tanishme ka dështuar edhe “në infrastrukturë shkollore e shëndetësore”.

Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment nuk iu përgjigj Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila me kryeministrin Avdullah Hoti qeverisi në koalicion me disa parti të tjera nga qershori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021.

Ngjashëm nuk u përgjigjën as nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mban pushtetin aktual.

Çka thonë ekspertët?

Prej vitesh, Zyra Kombëtare e Auditimit identifikon planifikimin e dobët, mungesën e kapaciteteve zbatuese, vonesat në procedurat e prokurimit si arsye të mosrealizimit të projekteve kapitale.

Sipas Blendi Hasajt, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, një arsye tjetër është edhe përfshirja e ministrive jokompetente, siç thotë ai, në investime kapitale.

Ai sugjeron që investimet kapitale t’i menaxhojë vetëm një ministri, si ajo e Infrastrukturës, për shkak të ekspertizës dhe ekipit më të përgatitur, ndërsa ministritë e tjera të fokusohen në reformat përkatëse.

“... sepse, për shkak të mungesës së specializimit, ministritë që nuk e kanë prioritet drejtimin e infrastrukturës, çalojnë në arritjen e afateve, në përgatitjen e planeve të prokurimeve me kohë. E gjithë kjo pastaj, në formë zinxhirore, ndikon edhe në realizimin e investimeve kapitale”, thotë Hasaj.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se nënshpenzimi për projekte të premtuara në infrastrukturë, bujqësi, shëndetësi, arsim e fusha të tjera tregon për mungesë të seriozitetit dhe përgjegjësisë nga ana e ekzekutivit - kushdo që e udhëheq atë.

Më shumë se në politikë, moszbatimi i këtyre projekteve ndikon në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin afatgjatë të vendit, sipas tij.

“Bizneset e mëdha që përgatiten për të realizuar projekte kapitale, kanë makineri, kanë teknologji, sigurojnë punëtorë. Mosrealizimi i tyre i dëmton, sepse nuk kanë të hyra në biznese për t’i mbuluar shpenzimet, ndaj e zvogëlojnë numrin e punëtorëve e, rrjedhimisht, bie edhe konsumi”, thotë Shahini, duke sugjeruar që atyre t’u jepet më shumë përparësi.

Në projektbuxhetin e vitit 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove dhe kaloi shqyrtimin e dytë në Kuvendin e Kosovës, rreth 930 milionë euro parashihen për projekte kapitale.

Nëse përcillet trendi i viteve të fundit, gjasat janë që edhe vitin e ardhshëm të teprojnë qindra miliona euro.

Për ekspertët, kjo është paradoksale derisa vendi përballet me një normë të papunësisë mbi 10 për qind, paga mesatare është 570 euro dhe parashikimi për rritje ekonomike sillet nën 4 për qind.

“Ka qytetarë që e kanë cilësinë e jetesës jo në nivel të duhur, sepse në zonat ku disa jetojnë, nuk ka rrjet të ujësjellësit dhe kanalizimit. E kjo ndikon në kualitetin e jetesës”, përfundon Hasaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG