Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për vërshime të mundshme dhe rrëshqitje të dheut, si pasojë e shiut që filloi mëngjesin e së mërkurës.
Në një njoftim në rrjetin social Facebook të mërkurën, IHMK-ja tha se shiu i rrëmbyeshëm nëpër disa zona veriperëndimore, qendrore dhe verilindore të vendit mund të shkaktojnë disa vërshime të shpejta.
Përmbytjet mund të shkaktohen “sidomos nga rrjedhat lumore me karakter malor, të cilat mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim, sisteme të kanalizimit, probleme në të gjitha aktivitetet bujqësore, probleme me trafikun, rrezik për rrëshqitje dheu etj.”
Megjithatë, Instituti tha se nuk parashikohet se do të ketë përmbytje lumore nga lumenjtë kryesorë, “të cilët aktualisht kanë nivele nën kuotat e tyre mesatare për këtë periudhë të vitit”.
Sipas parashikimeve të Institutit, intensiteti i reshjeve të shiut do të zvogëlohet dalëngadalë pasditen e sotme dhe gjendja e përgjithshme hidrometeorologjike “do të fillojë të stabilizohet”.
Javën e kaluar, një stuhi i goditi shtetet fqinje të Kosovës, Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke shkaktuar përmbytje dhe duke shkulur pemë.
Në Mal të Zi një erë jugore me forcë uragani, e shoqëruar me shira, arriti shpejtësinë mbi 190 kilometra në orë.
Ndërkohë, një stuhi edhe më e fuqishme e goditi Evropën Perëndimore, duke i lënë 12 persona të vdekur dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.
Kosova është përballur me vërshime në disa qytete edhe në janar dhe në qershor të këtij viti.
Një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç humbën jetën si pasojë e vërshimeve në Pejë në qershor.