Ndërlidhjet

Institucioneve parashkollore pa licencë u ndalohet puna


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Gjatë vitit 2019, në Kosovë kanë operuar 30 institucione parashkollore private pa licencë. Pas identifikimit të tyre, në shkurt të këtij viti, këtyre institucioneve u është ndaluar veprimtaria. Kështu thonë në Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Kosovës. Po sipas kësaj ministrie, aktualisht janë 122 institucione private edukativo-arsimore parashkollore të licencuara, ndërsa në proces të licencimit dhe rilicencimit janë edhe 38 të tjera.

Ngjashëm edhe me sektorët tjerë, edhe në këtë fushë, Ministria e Arsimit thotë se aktualisht ka pak inspektorë të angazhuar, qoftë për licencim apo edhe lidhur me atë se sa është stafi i kualifikuar për të edukuar fëmijët parashkollorë.

Besa Bytyqi, zëdhënëse në Ministrinë e Arsimit, i tha Radios Evropa e Lirë se asnjë institucion edukativo-arsimor parashkollor privat, nuk mund të fillojë punën, pa iu nënshtruar procedurave të marrjes së licencës në MASHTI, pra pa u pajisur me licencë të punës.

“Për të gjitha ato institucione që nuk e kanë zbatuar vendimin e ndërprerjes së veprimtarisë, lënda është dërguar në gjykatë. Pra, janë identifikuar 30 kopshte vetëm gjatë vitit 2019 pa licencë pune”, tha ajo.

“Aktualisht janë 41 inspektorë të arsimit. Është e vërtetë që numri i inspektorëve është i vogël dhe numri i tyre pritet të rritet, pasi që ata kanë përgjegjësi të madhe, pra janë të obliguar të bëjnë sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar”, tha Bytyqi.

Inspektorati i Arsimit, thekson Bytyqi, e ka aktivitet të përditshëm identifikimin e institucioneve edukativo-arsimore parashkollore, të cilat punojnë pa licencë nga MASHTI dhe kudo që hasin të tilla e kanë obligim ligjor që të mbyllin veprimtarinë e tyre, derisa të njëjtat të pajisen me licencë.

Ndërkaq njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, tha se në tërësi institucionet parashkollore, qofshin ato publike apo private janë të anashkaluar nga institucionet qeverisëse.

Ai shton se edhe investimi në edukim të mirëfilltë në fëmijërinë e hershme duket që është i kufizuar vetëm në debate, për mungesë të infrastrukturës ose atë të gjithëpërfshirjes, mirëpo shumë pak diskutohet se çfarë në të vërtet u ofrohet fëmijëve.

“Moslicencimi i kopshteve dhe çerdheve private paraqet neglizhencë institucionale që kërkon përgjegjësi institucionale. Është e patolerueshme që për grup-mosha kaq të ndjeshme të anashkalohet në tërësi ky proces. Problemi shkon përtej licencimit dhe se Ministria e Arsimit duhet që përmes monitorimit të garantojë sigurimin e cilësisë dhe mirëqenies së fëmijëve në këto institucione”, tha Qehaja.

Disa prindër që kanë fëmijët e tyre në kopshte apo institucione parashkollore, thonë për Radion Evropa e Lirë se institucionet përgjegjëse duhet të kenë kujdes në mënyrë që të mos lejojnë operimin e institucioneve parashkollore pa licencë.

Mirlinda Shala, nënë e fëmijës 4-vjeçar që shkon në një prej kopshteve në Prishtinë, thotë se paraprakisht, ka marrë informata të duhura për institucionin në të cilin ajo ka vendosur ta dërgojë djalin e saj.

“Unë mendoj që është shumë e rëndësishme mosha parashkollore, prej moshës 2 deri në 6 vjeç, pasi që thuhet se zhvillohet personaliteti i fëmijës. Unë personalisht jam interesuar se ku do ta dërgoj fëmijën tim. Përpos asaj që kam hulumtuar se a ka licencë institucioni, kam shikuar se kush do të ma edukojë fëmijën. Kam kërkuar të kalojë pak kohë me edukatoret për të parë sjelljet e tyre, mënyrën e të folurit, pasi që është shumë e rëndësishme për të ardhmen e fëmijës”, tha Shala.

Në anën tjetër, Dren Rexha, zyrtar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), bëri të ditur se nga hulumtimi i fundit i bërë nga kjo organizatë, del se gjendja me institucionet parashkollore nuk është e mirë, derisa shton se edhe vetë prindërit nuk kanë kërkesa të larta, gjë që ndikon që kushtet në të cilat rriten dhe edukohen fëmijët, të mos jenë adekuate. Krahas cilësisë së edukimit që ofrohet në kopshtet e fëmijëve, çështje tjetër brengosëse mbetet edhe numri i vogël i këtyre institucioneve në nivel të vendit.

“Zhvillimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për fëmijët, pasi ata marrin shkathtësitë motorike, emocionale dhe paraqet bazament për zhvillimin e kapitalit njerëzor. Në Kosovë gjendja nuk është shumë e mirë, pasi sipas hulumtimit të fundit që kemi bërë si UNICEF, ekziston një numri i vogël i kopshteve për shkak të mosinvestimeve të duhura në njërën anë, por në anën tjetër ka edhe një kërkesë të vogël nga ana e prindërve, gjë që për pasojë rezulton me një kualitet jo të mirë të shërbimeve në këto institucione”, tha Rexha.

Edhe në raporti e vitit të kaluar të Komisionit Evropian është theksuar se Kosovën si vend në fazë të hershme të përgatitjes në fushën e arsimit dhe kulturës, ka treguar progres të limituar dhe për këtë arsye kërkohet të bëhen përmirësime të konsiderueshme. Por, në raport gjithashtu shprehen shqetësime për numrin shumë të vogël të fëmijëve deri në pesë vjeç, të regjistruar në institucionet e arsimit parashkollor.

Aty thuhej se numri i fëmijëve të moshës zero deri në pesë vjeç të regjistruar në institucionet e licencuara të arsimit parashkollor mbetet shumë i ulët (4.9 për qind). Derisa në raportin e “Statistikave të arsimit, 2018-19”, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se numri i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor (zero-pesë vjeç), në institucionet publike, është katër mijë e nëntëdhjetenëntë (4.099).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG