Një ditë pasi Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër nga Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, u përfshinë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan, ambasadorja amerikane, Angela Ageler, tha se provat kundër tyre janë të disponueshme dhe institucionet maqedonase mund t'i gjejnë.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë lidhur me këto raste.
Çfarë do të ndërmarrin institucionet maqedonase pas përfshirjes së Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministër nga BDI-ja, dhe Enver Bexhetit, gjykatës i Gjykatës së Apelit, në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbetet një çështje edhe për ambasadoren amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler.
Grubi dhe Bexheti u futën në listën e zezë për përfshirje në korrupsion të madh, ndërhyrje politike dhe përpjekje për të diskredituar sistemin gjyqësor.
Ata akuzohen për marrje ryshfeti për të ndikuar në procese gjyqësore, përfshirë rastin penal të ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov, në lidhje me aferën "Target", të hetuar nga Prokuroria Speciale Publike, që lidhej me përgjimin masiv.
"Çfarë do të ndodhë më tej, varet nga institucionet që zbatojnë ligjin dhe sistemi gjyqësor," deklaroi Ageler në një konferencë për shtyp më 10 dhjetor.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, bëri thirrje për veprim të Prokurorisë Publike për rastin e Grubit dhe të Bexhetit.
"Ekzistojnë mënyra në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërmjet vendeve për të siguruar prova të nevojshme dhe për t’i nisur procedurat. Përndryshe, ne nuk reagojmë kur duhet, dhe kështu tolerojmë paligjshmërinë. Pres që Gjykata dhe Prokuroria të veprojnë. Gjithmonë theksoj se parimi i pafajësisë vlen për të gjithë, por institucionet përkatëse duhet të bëjnë punën e tyre", tha Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, rasti duhet të shërbejë si pikënisje për të hetuar më tej se si njerëz të ndryshëm janë emëruar në pozita të caktuara në sistemin gjyqësor.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, deklaroi se përfshirja e Grubit dhe Bexhetit në listën e zezë është një konfirmim nga partnerët strategjikë i asaj që ata veçse e kanë thënë sa kanë qenë në opozitë, për përfshirje në korrupsion.
"Unë mund të them se më shumë fakte do të dalin në publik dhe publiku do të informohet për të gjitha ato për të cilat kemi pasur dyshime", tha Mickoski.
Epidemia e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut
Ambasadorja Ageler deklaroi se kjo veprimtari dëshmon se SHBA-ja do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbajtur përgjegjës ata individë që dëmtojnë sigurinë, stabilitetin dhe vlerat demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Ajo theksoi se qytetarët presin veprime kundër korrupsionit.
"Korrupsioni nuk duhet toleruar në këtë vend. Ata që dëmtojnë sundimin e ligjit për përfitime personale, duhet ta kuptojnë se korrupsioni ka pasoja. SHBA-ja do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie, dhe shpresoj që edhe institucionet maqedonase të bëjnë të njëjtën gjë", tha ajo.
Roli i Bexhetit
Për gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Bexheti, publiku dëgjoi vitin e kaluar, kur në një seancë të Këshillit Gjyqësor u zbulua se ai, si gjykatës referues, kishte mbajtur për nëntë muaj në sirtar rastin e PSP-së për përgjimin masiv në UBK, të quajtur “Target Fortesa”.
Mbajtja e rastit në sirtar, së bashku me ndryshimet kontroverse të Kodit Penal, bënë që dënimi për aferën më të madhe të përgjimit të skadonte, pas së cilës kreu i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijalkov, shpëtoi nga një dënim me 12 vjet burgim.
Nëse procesi do të ishte zhvilluar me kohë në Gjykatën e Apelit, përpara se të miratoheshin ndryshimet e Kodit Penal, ekzistonte mundësia që rasti të bëhej i formës së prerë.
Këshilli Gjyqësor vitin e kaluar konstatoi se Bexheti, si gjykatës referues i çështjes, për muaj me radhë nuk e kishte zgjidhur çështjen e përgjimit masiv, ndonëse ndërkohë kishte trajtuar çështje të reja që i ishin caktuar.
Këshilli, pasi i konstatoi këto mangësi, i dha vetëm një masë disiplinore, duke ia ulur pagën për gjashtë muaj për 20 për qind nga paga mujore e një gjykatësi.
Në seancën e Këshillit Gjyqësor, ku pritej të shkarkohej Bexheti, u shkarkua kryetarja e atëhershme e Këshillit, Vesna Dameva. Shkarkimi i saj ishte i paligjshëm, siç u konstatua nga Gjykata Administrative vitin e kaluar.
Sipas asaj që dihet në publik për Bexhetin, ai filloi punën si sekretar në Komunën e Bogovinës. Për herë të parë u zgjodh gjykatës në vitin 2010 në Gjykatën Penale të Shkupit dhe pas dy vjetësh, në vitin 2012, gjatë qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, arriti në pozitën e gjykatësit në Gjykatën e Apelit në Shkup. Emri i tij u përmend në publik si një nga prindërit e njohur, fëmijët e të cilëve hynë në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë.
Akuza të shumta ndaj Grubit
VMRO DPMNE-ja gjatë kohës që ishte në opozitë, e lidhte Grubin me skandale korruptive, edhe pse më parë kishte qenë në koalicion me partinë e tij, BDI, dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me të.
Kjo parti e akuzoi Grubin për vendime të paligjshme që lejonin bixhozin online, si dhe për faktin që vëllai i tij kishte blerë një dyqan në qendër të Shkupit me një çmim të ulët gjatë kohës kur Grubi ishte zëvendëskryeministër. VMRO DPMNE-ja gjithashtu përmendi tregti të mundshme me ndikim nga ana e Grubit. Ai u akuzua edhe se kishte marrë si dhuratë një veturë Audi për ndihmën e dhënë një kompanie për të blerë një hotel në Popova Shapka me një çmim të ulët.
Grubi i ka mohuar këto akuza.
Radio Evropa e Lirë raportoi se disa administrues të BDI-së kishin marrë fonde shtetërore të destinuara për organizata të caktuara joqeveritare përmes Ministrisë që drejtohej nga Grubi.
Rasti "Target Fortesa"
Rasti "Target Fortesa" ishte një nga çështjet kryesore të Prokurorisë Speciale Publike, që synonte të zbardhte përgjimin masiv të paligjshëm në Maqedoninë e Veriut. Akuzat pretendonin se mbi 5.000 numra telefoni ishin përgjuar dhe se më shumë se 20.000 qytetarë ishin prekur nga përgjimet.
Fillimisht, rasti përfshinte përgjimin e paligjshëm dhe shkatërrimin e pajisjeve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK), por tani, për shkak të skadimit të afateve ligjore, pjesa kryesore që mbetet është ajo për shkatërrimin e pajisjeve.
Për rastin u dha një vendim i shkallës së parë në shkurt të vitit 2021, ku për 11 të akuzuar u caktuan gjithsej 55 vjet burgim dhe 10 vjet dënime me kusht.
Mes të dënuarve ishin edhe Sasho Mijalkov, i cili mori një dënim me 12 vjet burgim, si dhe dy ish-punonjës të UBK-së, Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski, të cilët u dënuan me nga 15 vjet burgim.
Megjithatë, në dhjetor të vitit 2022, Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi vendimin dhe e ktheu çështjen për rigjykim. Deputetët e përbërjes së kaluar, në shtator 2023, miratuan ndryshime në Kodin Penal që përfshinin uljen e dënimeve për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe për shoqëri kriminale. Kjo solli skadimin e shumë akuzave, përfshirë ato kundër Mijalkovit dhe pesë të tjerëve të akuzuar për përgjime.
Procesi vazhdoi vetëm për çështjen e shkatërrimit të pajisjeve. Më 27 nëntor, Prokuroria dha fjalën përfundimtare, dhe më 10 dhjetor pritet që këtë ta bëjë edhe mbrojtja, pas së cilës do të caktohet data për shpalljen e vendimit të ri të shkallës së parë.
- Lëndët e ish-zyrtarëve të lartë maqedonas zvarriten përmes rigjykimeve
- Qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë besim në gjyqësor
Këtë vit, në listën e zezë të SHBA-së janë shtuar ish-prokurorja speciale Katica Janeva dhe kryetari aktual i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.
Vitin e kaluar, në këtë listë u përfshinë ish-zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev, biznesmeni Sergej Samsonenko dhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Këta iu bashkuan ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe ish-drejtorit të UBK-së, Sasho Mijalkov.