Ndërlidhjet

Disa inspektorë ndërkombëtarë do të qëndrojnë në centralin në Zaporizhja


Misioni i Kombeve të Bashkuar gjatë rrugës për në centralin Zaporizhja në jug të Ukrainës.
Misioni i Kombeve të Bashkuar gjatë rrugës për në centralin Zaporizhja në jug të Ukrainës.

Disa anëtarë të ekipit të inspektorëve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike, do të qëndrojnë në centralin bërthamor në Zaporizhja të Ukrainës, ka thënë shefi i agjencisë, Rafeal Grossi.

“Le ta dijë bota se inspektorët janë duke qëndruar në Zaporizhja”, ka thënë Grossi.

Megjithatë, ai nuk ka treguar sa njerëz do të qëndrojnë aty.

Shefi i kësaj agjencie ka thënë se inspektorët kanë arritur të shohin atë që është dashur të shohin.

“Mendoj se kemi arritur të shohim shumë gjëra në pak orë, të marrim shumë informacione. Gjërat kryesore i kemi parë”, ka thënë Rafael Grossi, duke folur për mediat ruse.

Ky central bërthamor – më i madhi në Evropë – kontrollohet nga forcat ruse pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Misioni ndërkombëtar ka arritur në central bërthamor më herët gjatë 1 shtatorit, pavarësisht bombardimeve në atë zonë.

Si pasojë e bombardimeve është shtyrë një vizitë e tillë tash e një kohë.

Kompania Enerhoatom ka thënë se misioni ndërkombëtar ka qenë nën përcjelljen e ushtarëve rusë.

Kjo vizitë e delegacionit nga qyteti i Zaporizhjas në centralin me po të njëjtin emër që gjendet në qytetin Enerhobar – që është nën kontrollin rus – u përball me vonesa disa orëshe më 1 shtator, teksa Ukraina dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për kryerjen e sulmeve në këtë zonë.

Uzina bërthamore në rrezik: Ukraina përgatitet për më të keqen
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Situata në centralin e Zaporizhjas vazhdon të paraqesë një shqetësim të madh për komunitetin ndërkombëtar.

Forcat ruse dhe ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatimin e centralit. Luftimet në këtë zonë kanë rritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Para vizitës së inspektorëve ndërkombëtarë, zyrtarët ukrainas thanë se granatimet ruse detyruan që një prej reaktorëve të ndalej.

“Që nga ora 5 e mëngjesit, granatimet konstante në qytet nuk janë ndalur... Dihet se disa ndërtesa civile janë goditur. Ka edhe viktima, por ende nuk kemi përcaktuar se sa”, thanë zyrtarët ukrainas më 1 shtator.

Oleksandr Starukh, kreu i rajonit të Zaporizhjas, tha se trupat ruse po granatonin “rrugën nëpër të cilën është paraparë të kalojë misioni i agjencisë së OKB-së”.

Për shkak të granatimeve ruse, operatori shtetëror i energjisë në Ukrainë, Enerhoatom, tha se ka ndërprerë funksionimin e një prej reaktorëve të Zaporizhjas. Ndërkaq, një reaktor tjetër është në funksion dhe po mbulon kërkesat me rrymë të centralit.

Por, Ministria ruse e Mbrojtjes, akuzoi forcat ukrainase më herët gjatë 1 shtatorit se po tentonin që të merrnin nën kontroll centralin.

Ministria tha se janë ndërmarrë “masat e nevojshme” për të shkatërruar trupat ukrainase, duke përdorur edhe avionët luftarakë.

Rusia nuk ka dëshmi për këto pretendime dhe të njëjtat nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, një zyrtar që Rusia ka instaluar në Enehodar, tha se qyteti ishte pa energji elektrike të enjten.

Ndryshe, ekspertët e Kombeve të Bashkuara pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve në central, të përcaktojnë funksionalitetin e sistemeve të sigurisë, të vlerësojnë kushtet e stafit dhe të kryejnë aktivitete urgjente të sigurisë, ka thënë agjencia.

Shtetet e Bashkuara gjatë kësaj jave kanë thënë se “një mbyllje e kontrolluar” e Zaporizhjas do të ishte “opsioni më i sigurt” dhe i ka bërë thirrje Moskës që të pajtohet për çarmatosjen e zonës përreth centralit. Një kërkesë të ngjashme e ka bërë më herët edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG