Ndërlidhjet

Mbi 100 të vdekur nga shtypja në një stadium në Indonezi


Tifozët brenda fushës së futbollit në Malang të Indonezisë.
Tifozët brenda fushës së futbollit në Malang të Indonezisë.

Të paktën 125 persona kanë vdekur si pasojë e shtypjes në një stadium futbolli në Indonezi. Rreth 180 persona po ashtu janë lënduar, pasi ekipi vendas Arema FC humbi ndaj një prej rivalëve kryesorë.

Stadiumi në Malang, në Javën Lindore ishte i stërmbushur, kur tifozët filluan trazirat.

Policia përdori gaz lotsjellës në qëllim që të largonte tifozët nga fusha dhe ata nisën të iknin dhe për pasojë të shtypnin njëri-tjetrin.

Autoritetet në Indonezi më herët raportuan se numri i viktimave ishte 174, por më vonë tërhoqën këtë deklaratë.

Presidenti Joko Widodo ka urdhëruar të ndërpriten të gjitha lojërat në ligën kryesore të Indonezisë, derisa të kryhet hetim për këtë ngjarje.

Sipas Ministrisë së Sigurisë së Indonezisë numri i tifozëve në stadium ishte tejkaluar. Stadiumi në Kanjuruhan ka kapacitet prej 38.000 personash, por në kohën kur ndodhi ngjarja, sipas Ministrisë së Sigurisë, ishin edhe 4.000 tifozë më shumë.

Policia duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tifozëve në Indonezi.
Policia duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tifozëve në Indonezi.

Videot e publikuara nga stadiumi shfaqin tifozët duke vrapuar në fushë pas përfundimit të ndeshjes. Ata nisën të godisnin me shishe lojtarët, duke shprehur zemërimin për humbjen.

Policia hodhi gaz lotsjellës duke krijuar rrëmujë në mesin e turmës, tha Nicos Afinta, shef i Policisë në Javën Lindore.

“U bë situatë anarkike. Ata nisën të sulmonin oficerët, dëmtuan makinat”, tha ai, duke shtuar se edhe dy policë ishin në mesin e viktimave.

Sipas Afintas, 3.000 tifozë hyn në fushën e futbollit.

Tifozët hyn në fushën e futbollit menjëherë pas humbjes së ekipit vendas.
Tifozët hyn në fushën e futbollit menjëherë pas humbjes së ekipit vendas.

Më pas, tifozët nisën të iknin nga gazi lotsjellës, por turma nisi të grumbullohej në një pikë dalëse, dhe shumë persona pësuan nga mungesa e oksigjenit, tha shefi i Policisë.

Sipas të dhënave, 34 persona vdiqën në stadium, ndërkaq të tjerët vdiqën pasi u dërguan në spitale për trajtim.

Kjo është një prej fatkeqësive më të këqija që kanë ndodhur në stadiume në mbarë botën, përfshirë edhe ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës midis Guatemalës dhe Kosa Rikës më 1996, kur në një stadium në Guatemalë vdiqën 80 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG