Ndërlidhjet

India forcon marinën pas sulmeve në Oqeanin Indian


Anijet e marinës indiane të ankoruara në portin e Mumbait. Fotografi nga arkivi.
Anijet e marinës indiane të ankoruara në portin e Mumbait. Fotografi nga arkivi.

Marina e Indisë tha se ka dislokuar tri luftanije dhe një avion vëzhgues në Detin Arabik – që gjendet në veri të Oqeanit Indian – për të “ruajtur praninë parandaluese” pasi së fundi ka pasur një serie të sulmeve ndaj anijeve.

Tri luftanije, si dhe avioni vëzhgues i llojit P8I, janë dislokuar “pas sulmeve të fundit në Detin Arabik”, u tha në deklaratën e marinës.

Uashingtoni ka akuzuar Teheranin se ka kryer një sulm me dron të shtunën ndaj cisternës Chem Pluto, 370 kilometra larg nga brigjet e Indisë, akuza që janë hedhur poshtë nga Ministria e Jashtme e Iranit.

Kjo ishte hera e parë që Uashingtoni haptazi akuzoi Iranin se po sulmon anije, që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – grupit radikal që mbështetet nga Teherani.

Anija që u sulmua, e që ishte në pronësi japoneze, të hënën u ankorua në portin indian të Mumbait.

“Analizat nga zona ku ndodhi sulmi dhe mbetjet që u gjetën në anije tregojnë se sulmi u krye me dron”, tha marina e Indisë, duke shtuar se do të duhet të kryhen edhe analiza të tjera.

Gjetkë, në Detin e Kuq, rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, po ashtu kanë kryer një sërë sulmesh me dronë dhe raketa në solidaritet me palestinezët në Gazë, ku Izraeli po lufton me radikalët e Hamasit.

Rebelët Huthi kanë detyruar kompani të mëdha të transportit detar që të ndryshojnë rrugët e tyre të tregtisë për shkak të sulmeve.

Nju Deli po ashtu ka rritur përpjekjet për të luftuar sulmet e piratëve në Gjirin e Adeni, pasi piratët somalezë morën anijen MV Ruen muajin e kaluar.

India tha po ashtu se një anije në pronësi bullgare ishte marrë nën kontroll nga piratët somalezë më 16 dhjetor, teksa po lundronte afër ishullit jemenas të Sokotratit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG