Më shumë se 100 persona kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të një ure mbi lumë, në perëndim të Indisë, kanë raportuar mediat lokale të hënën.
Aksidenti ka ndodhur në orët e vona të së dielës në Morbi, qytet në rajonin indian Gujarat.
Mediat në Indi kanë thënë se 141 njerëz kanë vdekur dhe 177 kanë shpëtuar, pas rrëzimit të urës, e cila është rinovuar së voni.
Sipas raportimeve në media, numri i të plagosurve ka shkuar në 100.
Disa njerëz janë të zhdukur.
Në kohën e rrëzimit të urës, besohet se mbi 500 njerëz kanë qenë mbi të.
Ura ka qenë e gjatë 232 metra.
Autoritetet kanë thënë se kanë nisur hetimet për këtë rast.
Zyra e kryeministrit indian, Narendra Modi, ka thënë në Twitter se familjet e viktimave do të kompensohen.