Ndërlidhjet

Imunoterapia si alternativë për shërim më efikas të kancerit


Ilustrim
Ilustrim

Ngjashëm me vendet tjera, edhe në Kosovë aplikimi i metodës së imunoterapisë për pacientët e prekur me kancer, po shihet si mjaft i nevojshëm. Rezultatet jo të mirë që ka treguar ndër vite aplikimi i kimioterapisë te pacientët e prekur me kancer, e ka shtyrë mjekësinë që në vazhdimësi të hulumtojë edhe metoda tjera.

Imunoterpia, është një nga këto forma që sot aplikohet në disa raste. Por, profesionistët shëndetësorë në Kosovë, thonë se në mungesë buxheti tash për tash e kushtëzon përdorimi i kësaj metode mbetet mjaft i kufizuar.

Në Kosovë gjatë vitit 2017, janë evidentuar mbi 1500 raste të reja me kancer. Këto të dhëna i kanë zyrtarët nga Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas të cilëve ndonëse në mungesë të sistemit të referimit, mungojnë edhe statistikat e sakta.

Për trajtimin e kancerit kryesisht përdoren kimioterapia, radioterapia e të ngjashme, derisa në botë ka filluar të hyjë në listë të trajtimeve për pacientët me sëmundje malinje imunoterapia.

Arben Bislimi, onkolog në QKUK, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe në Kosovë është provuar imunoterapia tek pacientët onkologjikë, por ajo është e kushtueshme dhe në mungesë buxheti nuk është aplikuar aq sa do të duhej.

“Imunoterapia është pjesë e trajtimit të procedurave që e përdorim te pacientët varësisht prej patologjisë edhe në Institutin Onkologjik. Zakonisht te sëmundjet e lëkurës përdoret. Në klinikën tonë mundësia e dhënies së kësaj terapie është e kufizuar për shkak të buxhetit, por edhe rishikimit të listës së barnave esenciale”, tha Bislimi.

“Ndryshe imunoterapia është një nga mënyrat më të reja me të cilën mjekësia po përpiqet të luftojë kancerin. Ajo është një metodë që e ndihmon pacientin të luftojë kancerin përmes sistemit të mbrojtjes natyrore të trupit”, thekson ai.

Kërkesat për imunoterapi, sipas Bislimit, nuk janë të mëdha.

Ndërkaq, Shemsi Vesli, anëtar i Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovë, tha se pavarësisht rritjes së buxhetit për barna, ende ka mungesa.

“Buxheti duhet të rritet për të gjitha sëmundjet, por posaçërisht për sëmundjet kancerogjene dhe ato kardiovaskulare, si dy sëmundjet më vrastare. Mendoj se duhet të reflektojnë edhe Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. QKUK ka nevojë për terapi të sofistikuar siç është imunoterapia, por që na nevojitet shtytje në gjitha anët”, tha Veseli.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ky institucion ka të ndarë buxhet prej gjashtë milionë eurosh për citostatikë.

Kushtim Shkodra, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, thotë se sipas informatave që ka, nevojat e Institutit Onkologjik për barna për trajtimin e kancerit, janë mbi 8 milionë euro.

“Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë gjashtë milionë euro për citostatikë, derisa ky institucion ka ndarë edhe 443 mijë euro për imunosupresante e që është ilaç për trajtimin e kancerit, lloj imunoterapie”, thotë Shkodra.

Ndryshe, sipas profesionistëve shëndetësorë ilaçet për trajtimin e sëmundjes së kancerit janë të shtrenjta dhe shkaktojnë disa efekte anësore. Andaj si alternativë po mendohet të futet në listë imunoterapia për pacientët me sëmundje malinje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG