Ndërlidhjet

Rizvanolli: Komunat që furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës


Pamje nga vendi ku është kryer sulmi në fshatin Varragë të Zubin Potokut.
Pamje nga vendi ku është kryer sulmi në fshatin Varragë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur të hënën se komunat që furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci, mund të kenë reduktime gjatë ditës, për shkak të punimeve në kanalin e ujit, i cili është dëmtuar si pasojë e një sulmi të kryer më 29 nëntor.

Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë të hënën se uji është ende duke rrjedhur jashtë kanalit, dhe që po kryhen punimet për sanim të problemit.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.

Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se punimet kanë përfunduar dhe furnizimi me ujë ka rifilluar, dhe që nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë duke u monitoruar dhe janë të mjaftueshme.

Kompania rajonale e ujësjellësit “Mitrovica” i ka njoftuar qytetarët përmes një postimi në Facebook se po bën përgatitjet e duhura për rikthim të furnizimit dhe që trajtimin e ujit do ta nisë ta bëjë prej orës 12:00.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se vendi i tij nuk është i përfshirë në sulm, por që autoritetet serbe i kanë disa dyshime dhe që “hetimet do të tregojë se kush e ka urdhëruar.

“Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, ka thënë mes tjerash presidenti serb.

Sulmi është dënuar ashpër edhe nga faktori ndërkombëtar.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin si akt terrorist dhe sabotues, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të mbështesin gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG