Ndërlidhjet

I dhuroi veshkën burrit 


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Lumnije Prushi, 46-vjeçe nga Gjakova, është donatore e veshkës. Ajo ia ka dhuruar veshkën bashkëshortit të saj kur ishte 38-vjeçare. Që të dy janë të moshës së njëjtë.

Në mungesë të Ligjit për transplantim në Kosovë, ata këtë trajtim e kanë kryer në një spital në Stamboll të Turqisë.

Lumnija duke folur për Radion Evropa e Lirë ka rrëfyer pjesën e historisë së jetës së tyre dhe vështirësitë me të cilat mund të përballet dikush që vuan nga sëmundjet e veshkave. Edhe pas transplantimit, burri i saj ka nevojë për barna të cilat duhet t’i përdorë në vazhdimësi.

“Mund të them se institucionet shëndetësore në Kosovë nuk bëjnë shumë për këtë kategori të shoqërisë. Ne personalisht shpenzojmë rreth 700 euro në muaj për barna, të cilat nevojiten pas transplantimit të veshkës”.

“Bashkëshorti im i merr 19 lloje ilaçesh në ditë, që i duhen për mbrojtjen e veshkës. Ai nuk punon, meqenëse e ka të ndaluar nga mjeku. Merr pension invalidorë 70 euro në muaj, të cilat nuk i mjaftojnë as për një kuti të një lloji ilaçesh që ai duhet t’i blejë”, tha zonja Prushi.

Zonja Lumnije flet edhe për gjendjen e saj shëndetësore pas dhurimit të veshkës, derisa ka edhe një mesazh për gjithë ata që kanë familjarët e tyre në dializë.

“Gjendja ime shëndetësore është e mirë pas dhurimit të veshkës. Asnjëherë nuk kam pasur problem shëndetësor. Unë nuk konsumoj tash barna”.

“E kam një porosi për ata që i kanë familjarët në dializë. Le t’ua dhurojnë veshkat, pasi që nuk ka ndonjë problem anësor. E mendoj se ata që janë në dializë e kanë shumë të vështirë”, tha zonja Prushi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se që nga viti 2013, është përgatitur Ligji për transplantim të organeve, i cili më pas është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por që nuk është miratuar ende.

Ibrahim Rrudhani, nefrolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë, se sa i përket furnizimit me barna për të sëmurët nga veshka, por edhe për ata që tashmë kanë transplantuar veshkën, ka raste kur ka ilaçe, por shpeshherë familja i bartë vetë shpenzimet në mungesë të tyre.

Megjithatë, ai shton se kjo kategori gjithmonë ka qenë prioritet, meqë natyra e sëmundjes është më e ndjeshme dhe kërkon trajtim më të veçantë.

“Është një komunitet që kërkon përkrahje nga shteti, pasi ata nuk guxojnë as të punojnë punë të rënda. Në Kosovë ka filluar një trend i mirë për transplant të veshkave, e që familjarët janë ata që i dhurojnë. Por, në Kosovë nuk mund të bëhet transplanti për shkak të mungesës së ligjit. Megjithatë, shteti paguan rreth 70 për qind të kostos në spitalet ku pacientët i transplantojnë veshkën”, tha Rrudhani.

“Ajo që mbetet problem është se dhuruesin, i sëmuri duhet ta gjejë vetë. Transplanti bart me vete shpenzime. Një trajtim i pas transplantit kushton shumë dhe shpesh i bie që familja të blejë vetë barna. Ka raste kur furnizimi është i mirë, por ka raste kur edhe nuk ka’’, tha Rrudhani.

Në anën tjetër, Ymer Elezi, kryetar i shoqatës së nefrologëve të Kosovës, thotë se janë mbi 10 për qind e popullatës vuajnë nga një formë e sëmundjes së veshkës. Ai shton se kryesisht shkaktarët e sëmundjes së veshkave janë hipertensioni dhe diabeti.

“Sëmundjet e veshkës janë heshtake. Andaj duhet pasur kujdes me kontrolle të shpeshta. Në Kosovë janë 850 pacientë në hemodializë. Gjithë këta të sëmurë kanë për synim transplantin e veshkës. Por, në Kosovë nuk mund të bëhet transplanti në mungesë ligji, si dhe gjithashtu pacienti duhet vetë ta gjejë dhuruesin. Ndryshe, janë rreth 130 pacientë në Kosovë që tashmë kanë bërë transplant”, tha Elezi.

Sidoqoftë, përpos mungesës së ligjit, në Kosovë nuk ka kapacitete humane për të kryer transplante organesh, kanë deklaruar profesionistë shëndetësorë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG