Ndërlidhjet

Hyn në fuqi ndalimi i aborteve pas gjashtë javëve shtatzëni në Florida


Fotografi ilustruese nga një protestë e mbajtur kundër ndalimeve të abortit, në Teksas të SHBA-së, në vitin 2021.
Fotografi ilustruese nga një protestë e mbajtur kundër ndalimeve të abortit, në Teksas të SHBA-së, në vitin 2021.

Më 1 maj hyri në fuqi ligji i ri në Florida të SHBA-së që ndalon shumicën e aborteve pas gjashtë javëve shtatzëni – kur shumë gra ende mund të mos e dinë që janë shtatzënë. Disa mjekë kanë shprehur shqetësimin se gratë nuk do të kenë më qasje në kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Leah Roberts, një endokrinologe riprodhuese dhe specialiste e fertilitetit nga Boca Fertility, thotë se ligjet kundër abortit të miratuara nga Florida dhe shtetet e tjera të udhëhequra nga republikanët po shkruhen nga njerëz që nuk e kuptojnë shkencën mjekësore.

Rregullat nuk prekin vetëm gratë që duan aborte për shkak të zgjedhjes personale, por edhe shtatzënitë e paqëndrueshme për gratë që duan të kenë fëmijë.

Ndalimi i ri përjashton ndalimin e aborteve kur flitet për shpëtimin e jetës së një gruaje, si dhe në rastet që përfshijnë përdhunim dhe incest.

Por, Roberts thotë se punonjësit e kujdesit shëndetësor pengohen të kryejnë abort në shtatzënitë e paqëndrueshme që ata e dinë se mund të bëhet vdekjeprurëse, si p.sh. kur fetusit i mungojnë organet.

Përveç rrezikut fizik, ekziston edhe trauma psikologjike e detyrimit për të mbajtur një fetus që nëna e di se nuk do të jetë kurrë një fëmijë i shëndetshëm, tha Roberts.

“Ata i ndiejnë goditjet për muaj të tërë pasi u thuhet se nuk do të kenë kurrë një lindje të gjallë”, tha Roberts.

Ekipi i presidentit amerikan, Joe Biden, e fajësoi për ndalimin “ekstrem” ish-presidentin Donald Trump.

“Trump është i shqetësuar që votuesit do ta mbajnë atë përgjegjës për mizorinë dhe kaosin që krijoi. Ka te drejte. Trump hoqi të drejtat dhe lirinë e grave në Amerikë. Këtë nëntor, votuesit do t'i japin atij një mësim të vlefshëm: Mos u ngatërro me gratë e Amerikës”, tha Biden në një deklaratë për ndalimin e ri të abortit.

Roberts tha se ajo është e shqetësuar se kufizimet do të nxisin mjekët veteranë të largohen nga Florida, siç kanë bërë në shtetet e tjera që kanë miratuar ndalimin e abortit.

“Ne do të kemi më pak qasje në kujdesin për popullatën tonë të përgjithshme, edhe nëse është vetëm kujdesi bazë i maternitetit dhe kujdesi normal gjinekologjik sepse njerëzit po largohen”, tha Roberts.

Përveç kësaj, gratë do të duhet të udhëtojnë larg shtëpisë për të kryer abort.

Gjykata e Lartë e Floridës, me pesë nga shtatë anëtarët e saj të emëruar nga guvernatori republikan Ron DeSantis, vendosi muajin e kaluar në mbështetje të ndalimit të shumicës së aborteve pas 15 javësh të shtatzënisë, gjë që hapi rrugën për ndalimin e abortit gjashtëjavor. Ndalimi 15-javor, i nënshkruar nga DeSantis në vitin 2022, ishte zbatuar edhe gjatë kohës sa po kundërshtohej në gjykatë. Ndalimi gjashtë-javor, i miratuar nga legjislativi një vit më vonë, u shkrua në atë mënyrë që të mos hynte në fuqi deri në një muaj pas miratimit të ligjit të vitit 2022.

Shumica e shteteve të kontrolluara nga republikanët kanë miratuar ndalime ose kufizime për abortet që kur Gjykata e Lartë e SHBA-së përmbysi “Roe kundër Wade” në qershor të vitit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG