Ligji i ri për shtetësinë në Gjermani ka hyrë në fuqi të enjten. Ky ligj lehtëson rrugën për marrjen e pasaportës gjermane, përfshirë mbajtjen e dyshtetësisë.
Ligji i ri, i cili u propozua nga koalicioni qeveritar trepartiak i qendrës së majtë i Gjermanisë, ua mundëson njerëzve ta marrin shtetësinë gjermane pa e humbur shtetësinë e vendit të lindjes.
Njerëzit tani mund të aplikojnë për shtetësi gjermane pasi të kenë jetuar pesë vjet në Gjermani, nëse i plotësojnë të gjitha kushtet. Në të kaluarën, kusht ishte tetë vjet banim në Gjermani.
Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do ta fitojnë shtetësinë gjermane nëse njëri prej prindërve ka qenë banor i ligjshëm në Gjermani për pesë vjet, në vend se për tetë vjet.
Njerëzit që dëshmojnë “arritje të veçanta në integrim” përmes paraqitjeve veçanërisht të mira në shkollë, punë apo në angazhim në shoqëri, mund ta fitojnë pasaportën gjermane pas vetëm tri vjetëve qëndrimi.
Një çështje e rëndësishme e ligjit të ri është se njerëzit që e marrin shtetësinë gjermane, nuk detyrohet të heqin dorë nga shtetësia e vendlindjes së tyre. Në të kaluarën, kjo ka qenë e mundur vetëm për banorët e vendeve të tjera të BE-së në Gjermani.
Njësoj, edhe gjermanët që duan të bëhet qytetarë të një vendi tjetër, nuk kanë nevojë për autorizim të veçantë nga autoritetet gjermane. Në të kaluarën, pa autorizim, ata do ta kishin humbur shtetësinë gjermane në momentin që do ta kishin marrë shtetësinë e një vendi tjetër.
“Shumë njerëz e kanë pritur këtë me dekada”, tha komisionarja për Integrim e Gjermanisë, Reem Albali-Radovan, anëtare e partisë së Social Demokratëve (SPD).