Ndërlidhjet

Hungaria do të vendosë sistem për mbrojtje ajrore pranë kufirit me Ukrainën


Ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.
Ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Hungaria do ta vendosë një sistem për mbrojtje ajrore në pjesën verilindore të vendit, për shkak se rreziku i përshkallëzimit të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë është “më i madh se asnjëherë më parë”, tha ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Të martën, presidenti rus Vladimir Putin e uli pragun për kryerjen e sulmit bërthamor si përgjigje ndaj ndonjë sulmi me armë konvencionale kundër Rusisë, pasi Shtetet e Bashkuara i dhanë leje Ukrainës të hedhë raketa amerikane thellë brenda Rusisë.

Ukraina i përdori raketat amerikane me rreze të gjatë, ATACMS, për herë të parë të martën. Rusia e cilësoi këtë si përshkallëzim të madh.

“Ne ende besojmë se do të ketë paqe sa më parë, përmes diplomacisë, jo përmes luftës”, tha Kristof Szalay-Bobrovniczky, në një video të postuar në Facebook të mërkurën në mbrëmje.

“Megjithatë, për t’u përgatitur për të gjitha mundësitë, kam urdhëruar vendosjen në verilindje të vendit të sistemeve për mbrojtje dhe kontroll ajror, që i kemi blerë rishtazi”, tha ai pas një takimi me Këshillin e Mbrojtjes, i cili u mblodh nga kryeministri Viktor Orban, për të biseduar për zhvillimet në Ukrainë.

“Rreziku për përshkallëzimin e luftës Ukrainë-Rusi është më i madh se kurrë më parë”, tha ai.

Hungaria, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kufizohet me Ukrainën.

Ministri nuk tregoi hollësisht se cilat pjesë të sistemit për mbrojtje ajrore të Hungarisë do të vendosen në verilindje.

Ushtria e Hungarisë, e cila i është nënshtruar një programi modernizimi, bleu sisteme për mbrojtje ajrore, Mistral, nga Franca, vitin e kaluar. Më 2020, Hungaria u pajtua të blejë sisteme për mbrojtje ajrore, NASAMS, nga prodhuesit amerikanë dhe norvegjezë.

Ministri tha se disa njësite të ushtrisë hungareze janë në gatishmëri të lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG