Ndërlidhjet

Hungaria zgjeron ndalesën ndaj importeve të produkteve ukrainase


Ukrainë. Fotografi nga arkivi.
Ukrainë. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Hungarisë ka zgjeruar ndalesën e përkohshme ndaj importeve të produkteve bujqësore ukrainase dhe ka përfshirë mjaltën, verën, bukën, sheqerin dhe një sërë produktesh të mishit dhe perime.

Lista e produkteve të ndaluara u publikua përmes një dekreti qeveritar, pasi Budapesti njoftoi të shtunën se ka ndërmarrë masë për të ndaluar importin e drithërave, farërave vajore dhe disa produkteve të tjera.

Në ditët e fundit, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia kanë ndaluar importin e drithërave dhe produkteve të tjera nga Ukraina – shtet që po përballet me pushtimin rus – pasi çmimet e lira për produktet ukrainase nxitën pakënaqësi në mesin e fermerëve lokalë.

Bullgaria pritet të njoftoi për masë të ngjashme gjatë 19 prillit.

Në maj të vitit 2022, Bashkimi Evropian lejoi Kievin që të eksportonte drithëra përmes shteteve të bllokut pas mbylljes së linjave transportuese në Detin e Zi për shkak të luftës së Rusisë. Bllokadat në portet e Detit të Zi nxitën krizë globale ushqimore.

Shtetet anëtare janë pajtuar të importojnë produkte të caktuara nga Ukraina pa kufizime të sasisë dhe pa inspektim të doganës.

Megjithatë, një pjesë e madhe e produkteve nuk kanë kaluar transit përmes BE-së, por janë shitur në tregjet e shteteve anëtare me çmim të lirë, tha Budapesti.

“Në mungesë të obligimit për t’iu përmbajtur rregullave strike të produkteve, siç kërkohet sipas ligjeve të BE-së, produktet ukrainase kanë avantazh në konkurrencë ... gjë që shkakton telashe të mëdha në tregjet e brendshme të shteteve anëtare”, u tha në dekretin e Qeverisë hungareze.

Në dekretin e Qeverisë në Budapest u tha se ndalesa do të aplikohet edhe për miellin, vajin e gatimit si dhe për verërat.

Kjo ndalesë e përkohshme do të jetë në fuqi deri më 30 qershor, por nuk do të aplikohet për produktet që kalojnë transit përmes Hungarisë, u tha në dekret.

Autoritetet hungareze do të izolojnë në doganë dërgesat e produkteve që janë në listën e ndalesës dhe do t’i monitorojë ato, përmes pajisjeve elektronike.

Transportuesit që shkelin ndalesën do të gjobiten bazuar në vlerën totale të dërgesës që transportojnë.

Polonia dhe Ukraina të martën arritën një marrëveshje që mundësoi transitin e drithërave ukrainase përmes Polonisë, pasi Varshava kishte vendosur ndalesë ndaj importeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG