Ndërlidhjet

Hulumtim i REL-it: OJQ-ja e afërt me Orbanin fitoi kontratën për shpërndarjen e fletëvotimeve në Serbi


Kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Një organizatës joqeveritare në Serbi, që ka lidhje me partinë udhëheqëse hungareze Fidesz të kryeministrit autoritar Viktor Orban, jo vetëm që i është dhënë qasje në listën e votuesve të hungarezëve etnikë në Serbi, por kjo organizatë u mor me shpërndarjen e fletëvotimeve për votimin me postë në zgjedhjet e fundit parlamentare të Hungarisë.

Shërbimi postar shtetëror serb, Posta Serbia, nënshkroi marrëveshje me Unitetin e Minoritetit Hungarez për t’iu shpërndarë votuesve me të drejtë vote në Serbi fletëvotimet për zgjedhjet parlamentare hungareze të 3 prillit, thuhet në kopjen e kontratës që e ka siguruar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Istvan Pasztor (djathtas), president i Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, në Budapest.
Istvan Pasztor (djathtas), president i Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, në Budapest.

Kjo organizatë e përshkruan veten si promovuese dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut, por në përshkrim nuk ka aktivitete zgjedhore. Organizata nënshkroi marrëveshjen edhe pse Posta Serbia, shërbimi kombëtar postar, nuk shpalli asnjë tender publik për kontratën.

Në Hungari, populisti i krahut të djathtë, Orban është kritikuar për mosrespektimin e të drejtave të njeriut dhe për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe medias.

Udhëheqësia e Unitetit të Minoritetit Hungarez përbëhet nga anëtarë të Unionit të Hungarezëve të Vojvodinës (SVM), një parti politike që përfaqëson hungarezët etnikë në Serbi dhe që zyrtarisht është e lidhur me partinë Fidesz të Orbanit.

Vojvodina është një provincë autonome në veri të Serbisë, ku jeton shumica dërrmuese e hungarezëve etnikë.

Sipas marrëveshjes me shërbimin postar serb, Uniteti i Minoritetit Hungarez fitoi qasje në të dhënat personale, përfshirë adresat e mijëra hungarezëve etnikë në Serbi që kanë shtetësi të dyfishtë, thuhet në dokumentet e siguruara nga REL-i.

Posta Serbia nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment dhe njëjtë veproi edhe Uniteti i Minoritetit Hungarez.

Më shumë se 250.000 hungarezë jetojnë në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, me 70.000 prej tyre që kanë pasaporta hungareze dhe janë të regjistruar për votim në Hungari.

Diaspora hungareze është e ndarë në dy grupe të veçanta. Grupi më i madh, prej afër dy milionë personash, përbëhet nga hungarezët etnikë që jetojnë në rajonet që gjenden rreth Hungarisë që nga Traktati i Trianonit i vitit 1920. Ky traktat ua dha një pjesë të madhe të territorit të Mbretërisë së Hungarisë shteteve fqinje, ku tani gjenden Rumania, Sllovakia, Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Ukraina.

Grupi i dytë përbëhet nga emigrantë nga komunizmi, dhe së fundmi, nga emigrantë që janë larguar nga shteti për të punuar jashtë, kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian. Numri i saktë i këtyre personave është vështirë të dihet, por numri i personave të larguar së fundmi besohet se është midis 300.000 deri në 400.000.

Besnikëria e madhe ndaj Orbanit e diasporës së vjetër nuk është befasi, duke pasur parasysh faktin që kryeministri u dha atyre shtetësinë hungareze më 2010, të drejtën e votimit më 2011, dhe ka vazhduar që të zgjerojë mbështetjen e tij në diasporë përmes financimeve të mëdha.

Mbi 1.1 milion hungarezë etnikë kanë shtetësi të dyfishtë, thuhet në të dhënat e shtetit hungarez. Sllovakia më 2012 miratoi një ligj që parandalon që shtetasit e saj të kenë shtetësi të dyfishtë.

Fluksi i ri i qytetarëve ka shpaguar politikisht partinë Fidesz të Orbanit. Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2022, Fidesz fitoi mbi 52 për qind të votës popullore në Hungari, por pothuajse 94 për qind e këtyre votave erdhi nga diaspora hungareze.

Dokumentet që Posta Serbia i bëri publike për REL-in, tregojnë se shërbimi postar i kontraktuar në mars nga Uniteti i Minoritetit Hungarez kishte dërguar fletëvotimet për qytetarët me shtetësi të dyfishtë në Serbi.

Është e paqartë se në bazë të cilit kriter Posta Serbia zgjodhi këtë OJQ për këtë punë. Sipas të dhënave publike, Posta Serbia nuk ka hapur asnjë tender apo ka bërë thirrje publike për këtë punë.

Një votues duke votuar në konsullatën hungareze në Suboticë, Serbi, më 3 prill.
Një votues duke votuar në konsullatën hungareze në Suboticë, Serbi, më 3 prill.

Posta Serbia ka paguar 2 dinarë (0.017 dollarë) për dërgimin e një fletëvotimi. Edhe pse shifrat e sakta nuk janë publike, të dhënat nga Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve në Hungari vlerësojnë se numri i qytetarëve të regjistruar për zgjedhje dhe që kanë adresë në Serbi është 68.492 votues.

Uniteti i Minoritetit Hungarez është e regjistruar me adresë në Suboticë, në veri të Serbisë. Kjo organizatë ka të njëjtën adresë me Fondacionin Prosperitati, që udhëhiqet nga anëtarët e partisë SVM dhe zyrtarët e Qeverisë hungareze. Fondacioni është themeluar nga Budapesti për të administruar programet që ndihmojnë bujqit në Vojvodinë.

Uniteti i Minoritetit Hungarez është themeluar më 2002. Zyrtarisht ka 34 punonjës dhe ndërmjet viteve 2018 dhe 2020, ka regjistruar të ardhura biznesore prej 500.000 eurosh. Kjo OJQ udhëhiqet nga Karolj Dudas, një prej themeluesve të SVM-së.

Dokumentet që ka siguruar REL-i ngrenë pyetje nëse Uniteti i Minoritetit Hungarez apo SVM-ja ishin përgjegjës për shpërndarjen e fletëvotimeve. Fletëvotimet ishin marrë nga një adresë tjetër ku SVM-ja, por edhe Këshilli Kombëtar i Hungarezëve, janë të regjistruar.

Roli i SVM-së në shpërndarjen e fletëvotimeve duket se konfirmohet nga banorët lokalë. Një burrë nga Subotica, identiteti i të cilit është i njohur për REL-in, konfirmoi se aktivistë të SVM-së kanë shpërndarë fletëvotime në adresën e shtëpisë së tij.

“Isha pak i befasuar kur dy prej tyre [aktivistë të SVM-së] më erdhën te dera sepse më herët kam lexuar në gazetë se SVM-ja nuk ishte e përfshirë në shpërndarjen e materialeve të votimit”, tha ai.

Siç shpjegoi ai, aktivistët u prezantuan dhe thanë se ishin nga SVM-ja dhe se kishin sjellë zarfe me fletëvotime për të gjithë anëtarët e familjes.

“Ata më ofruan mundësinë që të marrin zarfet me vota mbrapsht për t’i dërguar në Konsullatë. Ne refuzuam”, tha ky banor i Suboticës.

Anëtarë të SVM-së, përfshirë edhe deputetin Balint Pastor, djalin e presidentit të SVM-së, Istvan Pastor, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment.

Më herët gjatë marsit, Istvan Pastor tha se Uniteti i Minoritetit Hungarez do të ofronte ndihmë në shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Serbi për zgjedhjet parlamentare hungareze. Por, vetëm disa ditë më vonë, përmes një deklarate për gazetën hungareze Magyar Szo, ai tha se deklarata e tij e mëhershme ishte keqkuptuar.

Hungarezët etnikë në Vojvodinë, Serbi veriore, duke vallëzuar në një festival në rrugë. Zyra Kombëtare Zgjedhore e Hungarisë vlerëson se për zgjedhje janë regjistruar 68.492 votues me adresë në Serbi.
Hungarezët etnikë në Vojvodinë, Serbi veriore, duke vallëzuar në një festival në rrugë. Zyra Kombëtare Zgjedhore e Hungarisë vlerëson se për zgjedhje janë regjistruar 68.492 votues me adresë në Serbi.

Në Hungari, Parlamenti ka miratuar një legjislacion që i jep më shumë fuqi zyrës për zgjedhje për të hetuar rastet e dyshimta jashtë vendit. Ky legjislacion, megjithatë, nuk ka hyrë ende në fuqi dhe nuk mund të aplikohet për këtë rast konkret.

“Ligji i amendamentuar nuk është retroaktiv. Nga dita që hyn në fuqi, trupat zgjedhore do të kenë autoritetin për të ndërmarrë vendime në rastet sa i përket dyshimeve te votimet jashtë vendit, nëse ka ankesa të deponuara përmes kanaleve zyrtare”, tha për REL-in Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve në Hungari.

Ky institucion tha se në rastin e shpërndarjes së fletëvotimeve për votuesit në Serbi, janë respektuar procedurat standarde.

“Zyra e Zgjedhjeve duhet të zgjedhë një ofrues të shërbimit universal dhe këto janë shërbimet postare hungareze dhe serbe”, u tha në deklaratë, ku u shtua se Zyra Kombëtare Zgjedhore hungareze nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale me SVM-në, dhe as nuk i ka ofruar të dhëna të votuesve kësaj partie.

Edhe Gjykata Supreme hungareze ka folur për këtë rast, duke thënë se Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve nuk ka bërë asnjë gabim dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse për atë që ka ndodhur me materialin zgjedhor brenda Serbisë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG