Organizata Human Rights Watch (HRW) ka dënuar përdorimin e armëve të rënda në zonat e banuara dhe me popullsi të dendur në Sudan.
"Ushtritë ndërluftuese të Sudanit po tregojnë shpërfillje të pamatur për jetët e civilëve duke përdorur armë të pasakta në zonat e populluara urbane", tha Mohamed Osman, ekspert sudanez për të drejtat e njeriut thuhet në një raport të HRW-së.
Organizata i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të bëjë më shumë për të garantuar sigurinë e popullatës dhe për t'i mbajtur përgjegjës palët ndërluftuese për konfliktin.
Sipas kësaj organizate, dëshmitarët okularë në Khartoum raportuan se armët kundërajrore ishin vendosur dhe se me to ishte qëlluar menjëherë në afërsi të Ushtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake (RSF), të cilat janë në luftë për pushtet me ushtrinë zyrtare.
Ata gjithashtu kërkuan strehim prapa shtëpive nga bombardimet e ushtrisë, duke i bërë ndërtesat objektiva, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Shumë civilë në Khartoum, por edhe në pjesë të tjera të vendit, janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi që nga shpërthimi i luftimeve më 15 prill.
Në vapën e madhe, kanë vetëm një furnizim të kufizuar me ujë dhe energji elektrike e po ashtu telashe me kujdesin mjekësor, thuhet në raport.
Temperaturat në Khartoum aktualisht po rriten në mbi 40 gradë celsius.
Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.
Të paktën 334.000 mijë njerëz janë zhvendosur brenda vendit në Sudan që nga shpërthimi i luftimeve për kontrollin e vendit në mes të prillit, sipas Kombeve të Bashkuara.