Ndërlidhjet

Shtohen thirrjet për të shmangur urinë në Afganistan


Disa burra duke qëndruar në një kamp refugjatësh në provincën afgane Badghis.
Disa burra duke qëndruar në një kamp refugjatësh në provincën afgane Badghis.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), u ka bërë thirrje vendeve donatore, Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që “urgjentisht të modifikojnë” kufizimet dhe sanksionet që prekin ekonominë e Afganistanit dhe sektorin bankar, meqë ka shqetësime për “përhapje të urisë” në shtetin e shkatërruar nga lufta.

Pasi talibanët kanë rrëzuar Qeverinë në Kabul, të përkrahur nga Perëndimi, në mes të muajit gusht, miliona dollarë të humbur, rritja e çmimeve dhe kriza e likuiditetit, i kanë pamundësuar popullsisë afgane qasjen në ushqim, ujë, strehim dhe kujdes shëndetësor, ka thënë HRW, nëpërmjet një deklarate më 11 nëntor.

Në të është thënë se vendimet e qeverive dhe insitucioneve ndërkombëtare bankare për të mos bashkëpunuar me Bankën Qendrore të shtetit – për shkak të sanksioneve të OKB-së dhe sanksioneve bilaterale – kanë rritur problemin e likuiditetit dhe mungesën e valutave në dollarë amerikanë dhe valutën e Afganistanit, afgani.

Mungesa e parave të gatshme nënkupton se shumica e bankave afgane nuk mund t'i mbulojnë tërheqjet e parave nga organizata për ndihmë dhe individë të tjerë, andaj edhe nuk mund të ketë qarkullim të parave në ekonominë afgane.

Si rezultat, ekonomia dhe shërbimet sociale “janë duke u shkatërruar, pasi afganët në gjithë shtetin tashmë po përballen me kequshqyerje të thellë”, ka thënë John Sifton, drejtor për Azinë në Human Rights Watch.

Për ta adresuar krizën humanitare, HRW-ja ka thënë së qeveritë, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe talibanët duhet të punojnë për të arritur një marrëveshje që i krijon Bankës Qendrore qasje në sistemin ndërkombëtar bankar.

Në mungesë të ndonjë marrëveshjeje, OKB-ja duhet “të përdorë çfarëdo mjete që ka në dispozicion për të vazhduar dërgimin e parave në Afganistan për qëllime humanitare”, derisa talibanët “duhet të bashkëpunojnë për t'i mundësuar këto dërgesa, më pas të ketë depozita në bankat e pavarura private dhe t’i mundësojnë OKB-së që të shfrytëzojë fondet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje”.

"S'kemi asgjë për dimër": Kriza humanitare troket në Afganistan
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Ndërkohë, HRW-ja u ka bërë thirrje edhe Shteteve të Bashkuara dhe qeverive tjera që “menjëherë t'i analizojnë politikat për sanksione, t'i modifikojnë masat aktuale dhe të lëshojnë licenca dhe udhëzime të reja për të lehtësuar likuiditetin dhe disponueshmërinë e parave të gatshme për të adresuar krizën humanitare”.

“Bujaria e donatorëve dhe zotimet humanitare nuk mund ta tejkalojnë realitetin e zymtë se agjencitë e OKB-së, grupet humanitare dhe diaspora afgane nuk mund të dërgojnë asete në sistemin bankar që nuk po funksionon dhe invidividët në Afganistan nuk mund të tërheqin para të gatshme, sepse nuk janë aty”, ka thënë Sifton.

“Vdekjet dhe vuajtjet nga uria janë të parandalueshme nëse qeveritë veprojnë me urgjencë për të adresuar krizën ekonomike të Afganistanit”, ka shtuar ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG