Ndërlidhjet

Hovenierit i ndahet Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ndau ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Hovenier, i cili ka vendosur të pensionohet, do të largohet nga misioni në Kosovë këtë muaj.

Osmani e vlerësoi atë si më shumë se një ambasador.

“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit.

Ky urdhër u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Hovenier ishte në misionin e ambasadorit në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022.

“Ky çmim ka domethënie të madhe për mua, pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e kësaj përpjekjeje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ishte privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, shkroi Hovenier në një postim në X.

Derisa ka shprehur vazhdimisht mbështetje për vendin, në disa raste edhe ka kritikuar, sidomos Qeverinë, për shkak të disa veprimeve që SHBA-ja i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në gusht, Hovenier ka thënë se partneriteti me Kosovën “nuk është ai që do të shpresonim”.

Veprimet e kritikuara kanë pasur të bëjnë me disa vendime për veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i ka cilësuar vetëm si përpjekje për shtrirjen e autoritetit në të gjithë vendin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG