Ndërlidhjet

Hovenier: Presim nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe urgjentisht obligimet nga dialogu


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, që u transmetua të mërkurën mbrëma.

Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.

Takimi i kësaj jave mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes, nuk solli rezultat. Kosova e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e akordit.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel për dialogun i vuri tri kushte për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Vuciq nuk i pranoi kushtet e tij dhe takimi dështoi.

I pyetur për këtë, Hovenier tha se Marrëveshja Bazë është "plotësisht zyrtare" pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët. BE-ja ka thënë gjithashtu se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

“Kjo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet. Ky është qëndrimi ynë. Kështu e trajtojmë ne. Dhe ne presim nga të dyja vendet ta zbatojnë atë", theksoi Hovenier.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011.

“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”, shtoi ai.

Draft-statuti evropian “nuk është non-paper”

Hovenier theksoi se draft-statuti evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është "non-paper”, duke hedhur poshtë pretendimin e kryeministrit Kurti.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua paraqiti palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

Por, më vonë, kryeministri Kurti e cilësoi këtë dokument si “non-paper”.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper” është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

“Të jemi të qartë, ky nuk është non-paper, ky nuk është diçka që ne thjesht ua dorëzuam atyre rastësisht. Ne e dorëzuan atë duke thënë se besojmë se [drafti] krijon një Asociacion që i mbron të gjitha shqetësimet që i keni paraqitur ju, i cili nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën [e Kosovës]. I cili nuk ka autoritet ekzekutiv. Kjo i mjafton Kosovës për ta përmbushur detyrimin e saj për themelimin e Asociacionit përmes këtij drafti”, tha ai.

Ai i bëri thirrje përsëri Kosovës ta dërgojë këtë draft në Gjykatë Kushtetuese për vlerësim dhe ta shfrytëzojë mundësinë për të lëvizur përpara.

Por, Kurti tha kohë më parë se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venedikut.

I pjetur për këtë, Hovenier tha se Komisioni i Venedikut nuk e zgjedh problemin thelbësor në lidhje me Asociacionin.

“Epo, a e dini se kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës ta ndërmarrë këtë hap”, theksoi ai.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

XS
SM
MD
LG