Ndërlidhjet

Hovenier ia rikujton Rakiqit qëndrimin e SHBA-së për Radoiçiqin


Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, u takua me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilit, siç tha ai, ia rikujtoi qëndrimet e SHBA-së për disa çështje, përfshirë edhe atë për nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radoiçiqin, i cili është në listën e të sanksionuarve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Takimi i 4 gushtit u mbajt pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri, ku më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kjo protestë pasoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë - të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS, që do të niste të zbatohej nga 1 gushti.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Ambasadori amerikan, Hovenier, pas takimit me Rakiqin, tha se masat e reciprocitetit janë legjitime dhe se takimi i Brukselit mes liderëve të të dyjave vendeve duhet të ndihmojë në uljen e tensioneve.

“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t'i vendosë. Nga këndvështrimi ynë ato janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime”, tha ambasadori Hovenier.

“Ne, gjithashtu, folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat", tha Hovenier.

Ambasadori tha se në takimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, më vonë gjatë këtij muaji, ata duhet të shikojnë si të arrijnë t'i ulin tensionet në disa prej çështjeve.

Hovenier përsëriti qëndrimin e SHBA-së për Milan Radoiçiqin.

"Më duhet t'u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin. I tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur", theksoi Hovenier.

Ndërkaq, Goran Rakiq, në një postim në Facebook, tha se ia ka përcjellë ambasadorit Hovenier se populli serb në Kosovë nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni për realizimin e të drejtave elementare dhe se kriza që ndodhi ditëve të kaluara, mund të zgjidhet përmes dialogut.

“Në vend që sot ta kishim Asociacionin e komunave serbe, i cili është dashur të formohet me Marrëveshjen e Brukselit para nëntë vjetësh, dhe problemet që i kemi të zgjidheshin përmes mekanizmave të tij, ne ende kërkojmë formimin e tij, gjë që është e papranueshme”, shkroi ndër tjerash Rakiq.

Rakiq u shpreh se janë konstruktivë në marrjen e vendimeve “të mira për popullin e Kosovës dhe për pozitë më të mirë të të gjitha komuniteteve, por edhe kundërshtarë të ashpër të gjithçkaje që mund të kërcënojë pozitën që e kemi sot, e cila nuk është aspak e lakmueshme”.

Rakiq nuk ka përmendur se gjatë takimit me ambasadorin Hovenier është biseduar edhe për Radoiçiqin.

Por, më vonë gjatë 4 gushtit, Lista Serbe lëshoi një deklaratë për media tha se është e papranueshme të flitet në këtë mënyrë për Radoiçiqin, duke argumentuar se ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor.

“Në rastin e nënkryetarit tonë, është e qartë se Prishtina dhe ambasadori Hovenier mendojnë se ka mundësi që ta shpallin dikë fajtor pa një vendim të gjykatës. Qytetarët tanë e kuptojmë se një deklaratë e tillë për Radoiçiqin kishte për qëllim që t’i bëhet presion Radoiçiqit, Listës Serbie dhe popullit serb në veri në kohën kur Prishtina po kryen veprime të njëanshme dhe terror kundër popullsisë së pambrojtur. Dhe këto pretendime nuk do të ndikojë në vendosshmërinë e tyre për mbijetesë dhe për të qëndruar në këto zona, duke respektuar kontributin e bërë nga Radoiçiq”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.

Një ditë më herët, Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.

Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha më 3 korrik se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës. Ai tha se Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG