Ndërlidhjet

Qytetarë të shumtë bën homazhe për Adem Demaçin


Nderime e homazhe për Demaçin
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Nderime e homazhe për Demaçin

Homazhe, seancë komemorative si dhe flamuj të ulur në gjysmështizë, karakterizuan organizimet për të nderuar Adem Demaçin, veprimtarin e njohur politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, i cili vdiq të enjten në Prishtinë, në moshën 82 vjeçare.

Me intonimin e himnit të Kosovës, himnit kombëtar shqiptar dhe me një minutë heshtje, Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën komemorative.

Parlamenti i Kosovës në seancë komemorative për vdekjen e Adem Demaçit
Parlamenti i Kosovës në seancë komemorative për vdekjen e Adem Demaçit

Në seancë kanë marrë pjesë dhe anëtarët e famijes Demaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në këtë seancë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të këtyre 100 vjetëve të fundit.

“I gjithë kombi ynë është në pikëllim. Kemi humbur njërin prej njerëzve të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit”, tha Veseli.

“Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq”, u shpreh ai.

Adem Demaçi, nënvizoi Veseli, e kishte mposhtur frikën nga pushtuesi dhe me guximin e tij ai e mësoi një popull të tërë ta mposhtë frikën.

“Këtu nisi liria, sepse një popull që nuk i frikësohet pushtuesit, ai domosdo do ta fitojë lirinë”, tha Veseli.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e veprimtarit të njohur politik Adem Demaçi.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, është shprehur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Demaçi, gjithë jetën ia kushtoi shërbimit për atdheun.

Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Kështu, do të qëndrojë deri të hënën.

Flamujt në gjysmë-shtizë në nderim të Adem Demaçit
Flamujt në gjysmë-shtizë në nderim të Adem Demaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë.

Pas seancës komemorative, në hollin e Kuvendit të Kosovës kanë filluar homazhet.

Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, njihet si simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj. Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandella i Ballkanit”.

Adem Demaçi pritet të varroset të shtunën, me ceremoni shtetërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG