Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut kërkuan që Kosova t’i përmbahet planit të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, të martën u takuan në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë një konference për media, Rutte tha se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.
“Sot kemi shprehur brengat tona për rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Holanda e Luksemburgu tentojnë që përmes dialogut të shtensionet situata dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por po ashtu për prosperitetin e integrimit drejt BE-së”, tha kryeministri holandez.
Bettel po ashtu bëri thirrje për uljen e tensioneve, duke theksuar se të gjitha palët duan shtensionim.
"Udhërrëfyesi nga [i dërguari i BE-së për dialogu, Mirosllav] Lajçaku dhe [shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph] Borrelli paraqet po ashtu për ne hapat e rëndësishëm për të vazhduar përpara. Ne duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme", tha Bettel.
Kurti tha se Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë. Kryeministri kosovar tha se për këtë kërkohet që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
"Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit dhe Aneksin e zbatimit të 18 marsit që dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte", tha ai.
*Video nga arkivi: Çfarë po kërkojnë diplomatët e huaj e çfarë po u ofron Kurti?
Ndërkaq, gjatë takimit të liderëve evropianë me presidenten Osmani, kjo e fundit tha se Kosova ka “demonstruar vullnet” për shtensionimin e situatës, duke “ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit”.
Vizita e Rutte dhe Bettel në Prishtinë po zhvillohet pasi një ditë më herët ata qëndruan në Beograd, ku zhvilluan bisedime me krerët shtetërorë serbë.
Kjo vizitë e dy kryeministrave evropianë ishte planifikuar disa muaj më herët. Por, ata këtë vizitë e shfrytëzuan për të dërguar mesazhin e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, për qetësimin e situatës në atë zonë dhe kthimin e Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e Brukselit.
Në Beograd, Bettel tha se shpreson që në ditët dhe javët në vijim të arrihet përparim “dhe të ketë shtensionim të situatës”, duke shtuar se shpreson që nuk do të ketë nevojë që të flitet më për presione që duhet t’iu bëhen palëve për të zgjidhur këtë situatë.
Ndërkaq, Rutte tha se është e rëndësishme që të përmbushen kërkesat e paraqitura nga BE-ja, pasi sipas tij, plotësimi i tyre është rruga më e shpejt që do të çojë drejt shtensionimit.
BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Në këtë vizitë ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
Vizita e kryeministrit të Holandës dhe atij të Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Tensionet u rritën në fund të majit në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – komuna të banuara me shumicë serbe – pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë.
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.
Lexoni edhe këtë: Jeta e pauzuar në veri