Ndërlidhjet

Hill: Sanksionimi i Vulinit nuk nënkupton marrëdhënie më të këqija Serbi-SHBA


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha më 13 korrik se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të kenë ndonjë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, por se sanksionet e vendosura ndaj tij si individ nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.

"SHBA-ja studioi me kujdes Vulinin dhe aktivitetet e tij, dhe arriti në përfundimin se ai nuk është dikush që duam në Amerikë. Në këtë mënyrë, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur SHBA-në", u tha Hill gazetarëve, gjatë një turneu në zonën arkeologjike Belo Bërdo.

Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e BIA-s, Vulin.

Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ambasadori Hill tha se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë janë të mira, dhe po përmirësohen.

"SHBA-ja dëshiron të ndihmojë Serbinë, e cila tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë atë në masën që dëshiron vetë Beogradi", tha Hill.

Gjatë një vizite në punimet për restaurimin dhe rehabilitimin e një zone arkeologjike, të cilat po kryhen nga Qeveria e Serbisë dhe mbikëqyren nga Ambasada amerikane, Hill shtoi se Vulin nuk do të mund të marrë një vizë amerikane.

Nënsekretari i Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Brian E. Nelson, deklaroi në shpjegimin e sanksioneve kundër Vulinit, më 11 korrik, se vendimi e mbante atë përgjegjës për aktet e supozuara korruptive dhe destabilizuese që mundësonin edhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon.

Ai shtoi se Departamenti i Thesarit nuk do të përmbahet nga shënjestrimi i aktorëve që “abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale, në të njëjtën kohë duke minuar autoritetet demokratike në Ballkanin Perëndimor”.

Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet, hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-në. Vetë Vulin nuk është deklaruar publikisht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do të zëvendësojë Vulinin, por ka paralajmëruar hetim për akuzat e SHBA-së.

Para se të bëhej shef i BIA-s, Vulin ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, dhe si ministër i Brendshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG