Ndërlidhjet

Hill: Serbia kishte frymën e duhur në dialog


Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 23 maj 2022.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 23 maj 2022.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se Serbia kishte “frymën e duhur” gjatë dialogut me Kosovën m 18 gusht në Bruksel.

Në një video-adresim të tij, të publikuar më 19 gusht në Twitter nga Ambasada amerikane në Serbi, thuhet se kjo është gjë e mirë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, por edhe për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Serbi.

“Mendoj që kemi shumë çështje të përbashkëta që mund të punojmë. Jo gjithçka që bëjnë SHBA-ja dhe Serbia duhet të lidhen me Kosovën. Ne duhet të punojmë shumë në çështjen me Kosovën, duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, por mendojmë që ka edhe çështje tjera që mund të punojmë me Serbinë dhe jam shumë i inkurajuar nga ajo që pash dje”, tha Hill.

Sipas ambasadorit, dita e djeshme në Bruksel ishte me shumë diskutime, shumë takime dhe shumë negociata.

“Të gjithë jemi disi të dëshpëruar që nuk mund të zgjidhnim çështjet në periudha afatshkurta apo afatgjate, por mendoj që kishte zhvillime pozitive”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Të dielën pritet edhe takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë nga Kosova.

Rundi i ri i dialogut u mbajt tri javë pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare - Jarinjë dhe Bërnjak - që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.

Më 19 gusht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd, tha se Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para 1 shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG