Ndërlidhjet

Heshtja para vaksinimit masiv  


Një qytetare duke u vaksinuar kundër koronavirusit. Prishtinë, 13 prill, 2021.
Një qytetare duke u vaksinuar kundër koronavirusit. Prishtinë, 13 prill, 2021.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se më 15 qershor, fillon procesi i vaksinimit masiv të qytetarëve kundër sëmundjes COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk ka dhënë informacione se a ka doza të mjaftueshme të vaksinave.

Heshtja e autoriteteve para fillimisht të imunizimit në masë, po ndodh për shkak të mungesës së vaksinave, tha Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikalistëve të Shëndetësisë.

“Nuk mund të them se kemi doza të mjaftueshme të vaksinave sepse 1.2 milion vaksina nuk e dimë se në çfarë faze do të vijnë. Kjo sasi mund të vijë deri në fund të vitit dhe kjo çështje nuk është për mburrje si qeveri. Prandaj, me këtë çështje, (Qeveria e Kosovës) po mundohet të kamufloi”, theksoi Syla për Radion Evropa e Lirë.

Muajin e kaluar, autoritetet njoftuan se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane, Pfizer, për sigurimin e mbi një milion dozave të vaksinës kundër koronavirusit, por nuk kanë dhënë informacione se kur këto doza do të arrijnë në Kosovë.

Kurse, Pfizer muajin e kaluar konfirmoi për Radion Evropa e Lirë arritjen e marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës, por nga kjo kompani kanë shtuar se sasia dhe periudha e dërgimit të vaksinave në Kosovë, mbetet konfidenciale.

MSH: Vaksinimi, sipas termineve

Pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media, të hënën kërkoi nga qytetarët, që me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga autoritetet shëndetësore, sipas termineve të caktuara përmes platformës, eKosova.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tri fazat e këtij plani”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Deri më tani, në nivel vendi janë vaksinuar rreth 100 mijë qytetarë, me të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Në zhvillim e sipër është faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65-79 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.

Si të regjistroheni për të marrë vaksinën kundër COVID-19?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Por, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa persona të moshës 40-50 vjeç, të cilët në fundjavë dhe gjatë ditës së hënë, kanë arritur të vaksinohen kundër koronavirusit.

Niman Bardhi, koordinator për vaksinim në sallën "1 Tetori" në Prishtinë, tha për Radion Evropa, se nuk ka informacione se si personat nën moshën 65 vjeç, dhe ata që nuk janë punëtorë shëndetësorë, kanë arritur të vaksinohen.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka filluar në fund të muajit mars, me vaksinat e pranuara si donacione nga Bashkimi Evropian dhe nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pritja për vaksina

Disa qytetarë, të cilët kanë aplikuar në platformën eKosova, po presin thirrjet për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë. Njëra nga to është Arta Jusufi, juriste me profesion.

“Para një muaji kam aplikuar dhe pres që të më thërrasin”, tha Jusufi.

Në pritje të marrjes se dozës se parë të vaksinës është edhe Blerta Hasani, rreth 40 vjeçe. Ajo shprehet se institucionet janë vonuar në fillimin e vaksinimit masiv, teksa tregon se ka plane që të udhëtojë jashtë Kosovës.

“Me marrjen e vaksinës do të ndihem më e sigurt. Marrja e vaksinës është edhe obligim për shkak të udhëtimeve në vende të ndryshme të botës. Unë me padurim pres të shkoj në Zvicër dhe nëse marr vaksinën, nuk e rrezikoj veten, por as familjarët”, shprehet ajo.

Kohëve të fundit, në Kosovë ka rënë dukshëm numri i rasteve të reja me koronavirus dhe rasteve të vdekjes. Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus, autoritetet kanë regjistruar mbi 107 mijë raste. Prej tyre, 2,250 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktualisht, raste aktive janë 345.

Të hënën, më 14 qershor, Kosova regjistroi pesë raste të reja me COVID-19.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG