Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e ka pranuar më 6 nëntor disfatën në zgjedhjet presidenciale kundër rivalit të vet republikan, Donald Trumpit, gjatë një fjalimi para mbështetësve të vet në Uashington dhe duke e uruar Trumpin përmes telefonit.
“Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që dëshironim, për të cilin luftuam, dhe votuam”, tha Harris, duke e pranuar humbjen për herë të parë gjatë fjalimit para mbështetësve të vet.
“Derisa e pranoj humbjen në këto zgjedhje”, tha ajo, “nuk dorëzohem në luftën që e ushqeu këtë fushatë”.
Ajo tha se më herët gjatë “bisedova me presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe e urova për fitoren”, tha Harris.
Trump, ish-presidenti dhe kandidati i Partisë Republikane, i fitoi 270 votat e nevojshme për ta siguruar fitoren në garën presidenciale kundër Harrisit, sipas mediave të shumta amerikane, përfshirë Associated Press dhe CNN.
Më herët, Trump shpalli veten fitues përpara një grupi mbështetësish.
"Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni", iu drejtua ai turmës së entuziazmuar të mbështetësve në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë.
Në një goditje të mëtejshme për demokratët, Partia Republikane gjithashtu mori kontrollin e Senatit.
“Amerika na ka dhënë një mandat të paprecedentë dhe të fuqishëm”, tha Trump para përkrahësve në Floridë.
Forcimi i republikanëve pritet të ketë pasoja të mëdha për luftën e Rusisë në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera globale.
Përderisa Harris kishte thënë se do të vazhdonte politikën e presidentit Joe Biden për mbështetje ndaj Ukrainës dhe kishte shprehur qartë dëshirën e saj për t'i parë forcat ruse të mundura, Trump shpesh ka vënë në dyshim mbështetjen e SHBA-së për Kievin, duke thënë se Evropa duhet të mbajë barrën kryesore dhe gjithashtu ka lënë të pasigurt të ardhmen e NATO-s.
Republikanët fituan një shumicë në Senatin e SHBA-së pasi rrëzuan ulëset demokrate në Virxhinian Perëndimore dhe Ohajo.
Asnjëra nga partitë nuk dukej të kishte një avantazh në luftën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ku aktualisht republikanët mbajnë një shumicë të ngushtë.
Trump, 78 vjeç, do të bëhet presidenti më i moshuar në kohën kur do të jetë përuruar, si dhe presidenti i parë që është dënuar për vepër penale.
Sikur të fitonte, Harrisi, 60-vjeçare, do të ishte bërë gruaja e parë presidente dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore që zgjidhet president i SHBA-së.