Ndërlidhjet

Haradinaj: Serbia fiton 30 milionë euro nga moszbatimi i marrëveshjes energjetike


Ilustrim
Ilustrim

Shteti i Serbisë fiton rreth 30 milionë euro për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një interpelance në Kuvendin e Kosovës, të thirrur nga opozita në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej një milion eurosh për Operatorin e Sistemit të Transmisionit të Tregut të Energjisë Elektrike, (KOSTT) për mbulimin e shpenzimeve të faturave të energjisë për katër komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Për këtë çështje, Haradinaj kërkoi përkrahjen e Brukselit si ndërmjetësues i dialogut, Kosovë-Serbi, pasi që, ka thënë ai, institucionet e Kosovës nuk mund të tolerojnë pa kufi për zgjidhjen e këtij problemi.

“Kjo gjendje në veri nuk mund të vazhdojë pa kufi, duhet të vijë një ditë që institucionet e Kosovës të shkojnë të vendosin rregull edhe në tregun energjetik në atë pjesë. Ose duhet të arrihet një dakordim nëpërmjet ndërmjetësimit që është Brukseli".

"Ne jemi të hapur për zgjidhje, por pala serbe e ka keqpërdorur pa kufi këtë temë dhe është toleruar nga Bashkimi Evropian dhe aktorët tjerë. Dhe, është shumë e habitshme që po e tolerojnë ende, sepse është pastër marrje e 30 milionë eurove para të Kosovës nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, përkatësisht konsumatorët e komunave Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk i kanë paguar faturat e energjisë së shpenzuar që llogaritet të jenë rreth 8 milionë euro në vit, kurse u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG