Të ftohtët që kishte kapluar pasditen e 29 janarit Qendrën e Resurseve Handikos në Prishtinë, pamundësoi që Bedri Kadriaj - përdorues i karrocës invalidore - t’i merrte shërbimet e fizioterapisë.
Kjo qendër, e cila merret me përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, e ndërpreu punën gjatë gjithë muajit janar, për shkak të mungesës së fondeve.
Të gjitha shërbimet që i ofron falas - nga rehabilitimi dhe terapia fizikale e deri te trajtimi psiko-social dhe logopedia - janë pezulluar.
Dhomat e ushtrimeve, tavolinat, karriget... të gjitha janë të boshatisura.
Se kur dhe nëse do të rikthehen me kapacitet të plotë, nuk është e qartë.
Dhjetëra persona me diagnoza të ndryshme mbetën pa shërbime
Bedriu po merrte shërbime në Handikos që katër vjet. Atëkohë, ai pësoi një aksident me motor që e la me këmbë të paralizuara.
“E kam shfrytëzuar qendrën për fitnes, për shpatulla, për duar... sepse neve na duhet t’i ushtrojmë duart, t’i kemi të forta”, tha 39-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.
Ai ishte në dijeni për ndërprerjen e shërbimeve, por shpresonte se, të paktën, do të merrte ndonjë lajm të mirë për rikthimin e tyre.
“Pas aksidentit, këtu në qendër e kam gjetur veten shumë. Stafi është i mirë, i kam marrë të gjitha shërbimet e nevojshme pa pagesë”.
“Ndjej sikur më është mbyllur dera e dytë e shtëpisë”, u shpreh Bedriu.
Me atë ndjesi, ditën që REL-i vizitoi hapësirat e Handikosit, ishte edhe Fidajete Shala - Pllana, djali i së cilës, katër vjeç, ka nevojë për shërbime të fizioterapisë dhe logopedisë.
“Nga shërbimet e ofruara këtu, djali ka pasur shumë përmirësime”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Mungesën e shërbimeve tha se e ndjen edhe i biri, sepse “vazhdimisht i përmend edukatoret e tij”.
Me profesion sociologe, Fidajetja tha se familja e saj nuk e përballon dot ekonomikisht pagesën për shërbimet që i duhen 4-vjeçarit disa herë në javë.
Kur nuk ka projekte, nuk ka as para
Funksionale nga viti 2003, Qendra e Resurseve Handikos në Prishtinë është më e madhja në Kosovë që ofron shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Mbyllja - për herë të parë gjatë dy dekadave të ekzistencës - la pa shërbime mbi 60 individë në nevojë, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i qendrës, Afrim Maliqi.
Sipas tij, individët që marrin trajtime aty, bëjnë pjesë në grupet më të rrezikuara të personave me aftësi të kufizuara. Kanë 22 diagnoza të ndryshme, por më e shpeshta është ajo e paralizës cerebrale.
“Brenda ditës mund të vijnë 15 ose 20 persona. Një mund të ketë nevojë për dy-tri shërbime, një tjetër mund të ketë nevojë vetëm për një. Por, ka edhe shërbime grupore që i ofron qendra”, thotë Maliqi.
Ai shpjegon se Qendra e Resurseve Handikos funksionon në bazë të projekteve, që i bën qoftë vetë, qoftë me shoqata simotra, e që i financojnë organizata apo institucione të ndryshme.
Me ato fonde, pastaj, mbulohen shërbimet, pagat e stafit, rryma, ngrohja dhe karburantet.
Mungesa e projekteve në periudhën e fundit ka çuar në mungesë fondesh dhe, rrjedhimisht, në pezullimin e shërbimeve.
“Kur nuk kemi projekte, nuk na financon askush”, thotë Maliqi.
Ai tregon se Handikosi ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta marrë nën menaxhim Qendrën e Resurseve, pasi gjendet në territorin e saj, por deri më tash pa ndonjë rezultat.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Komuna e Prishtinës nuk iu përgjigj pyetjes se cilat janë mundësitë që ta marrë nën ombrellën e vet këtë qendër, por tha se “mbështetja për Handikosin do të vazhdojë edhe në vitet në vijim përmes thirrjeve të hapura për subvencionim”.
“Kryeqyteti Prishtina në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për këtë shoqatë. Në vitin 2022, kryeqyteti ka ofruar mbështetje në vlerë prej rreth 25 mijë eurosh, kurse në vitin 2023 shoqata ka pranuar 15 mijë euro përmes subvencioneve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës dërguar Radios Evropa e Lirë.
Për t’i dalë sadopak në ndihmë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës i ndau Qendrës së Resurseve Handikos 6.750 euro pjesën e dytë të muajit janar.
Me këto mjete, Maliqi thotë se qendra pritet t’i rikthejë vetëm 10 për qind të shërbimeve nga java e ardhshme.
Njëkohësisht, ai tregon se është duke u punuar edhe në një projekt që do t’i siguronte rreth 30.000 euro nga kjo ministri.
Projekti, sipas tij, duhet të përfundojë deri në prill, por “nuk i mbulon as shpenzimet, as periudhën kohore”.
Sipas një llogaritjeje që ka bërë vetë qendra, asaj i duhen 263 mijë euro në vit për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet.
Vitin e kaluar, shërbimet sociale në Kosovë kanë kaluar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve te Ministria e Drejtësisë.
Kjo e fundit nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për komente në këtë temë.
Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë jetojnë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.
Në organizatën joqeveritare Handikos janë të anëtarësuar 18.000 persona me aftësi të kufizuara fizike të moshave, gjinive dhe etnive të ndryshme.
Handikosi ka 14 qendra rehabilitimi në Kosovë dhe të gjitha varen nga projektet që i financojnë qoftë institucionet lokale, ato qendrore apo ndërkombëtare.