Ndërlidhjet

Hamasi po përgatit përgjigje pas ofertës për armëpushim në Gazë


Palestinezët në vendin e një sulmi ajror izraelit në një ndërtesë në Rafah. Rripi jugor i Gazës, më 9 mars 2024.
Palestinezët në vendin e një sulmi ajror izraelit në një ndërtesë në Rafah. Rripi jugor i Gazës, më 9 mars 2024.

Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - ka thënë se është duke e shqyrtuar ofertën e Izraelit për një armëpushim 40-ditor në luftën në Rripin e Gazës.

Duke u kthyer në Katar pas bisedimeve të fundit në Kajro, delegacioni i Hamasit tha se do t'i "diskutojë idetë dhe një propozim".

"Ne duam të përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur", tha një burim i Hamasit për AFP-në, në kushte anonimiteti.

Burime egjiptiane i thanë Al-Qahera News, një faqe e lidhur me shërbimet e inteligjencës egjiptiane, se delegacioni i Hamasit do të "kthehej me një përgjigje me shkrim".

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i përshkroi kushtet e armëpushimit si "jashtëzakonisht bujare", ndërsa Shtëpia e Bardhë u kërkoi kolegëve ndërmjetësues - Egjiptit dhe Katarit - të rrisin presionin ndaj Hamasit për të pranuar përpjekjen e fundit për t'i dhënë fund luftës gati 7-mujore.

Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje udhëheqësve egjiptianë dhe atyre të Katarit "të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi", duke e quajtur atë "pengesën e vetme" për sigurimin e ndihmës për civilët në Rripin e rrethuar të Gazës.

Për muaj të tërë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të sigurojnë një marrëveshje të re.

Gjatë një armëpushimi që zgjati një javë në nëntor, 80 pengje izraelite u shkëmbyen për 240 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Bombardimet izraelite kanë shkatërruar Gazën e kontrolluar nga Hamasi, duke rrafshuar pjesën më të madhe të territorit dhe duke e çuar popullin e saj në prag të urisë.

Në qytetin jugor të Rafahut, palestinezët janë të dëshpëruar nga lufta teksa po vazhdojnë kërkimet për viktimat nga sulmi i fundit.

“Civilët që nuk kanë lidhje me Hamasin apo ndonjë grup tjetër, u goditën nga një raketë, u copëtuan”, tha Um Louay Masri, në një ndërtesë të shkatërruar ku fëmijët po nxirreshin nga rrënojat.

Izraeli është zotuar të nisë një sulm ndaj batalioneve të Hamasit në Rafah, ku shumica e 2.4 milionë banorëve të Gazës kanë kërkuar strehim.

Por, ministri i Jashtëm, Israel Katz, gjatë fundjavës tha se qeveria mund ta "pezullojë" atë operacion nëse arrihet një armëpushim.

Duke folur në Riad gjatë vizitës së tij të shtatë në rajon që nga fillimi i luftës së Gazës, diplomati i lartë amerikan, Blinken, theksoi nevojën që Hamasi "të vendosë shpejt" për një armëpushim.

Ai tha në një takim special të Forumit Ekonomik Botëror se "shpreson të marrë vendimin e duhur", ndërsa ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, tha se "propozimi kishte parasysh pikëpamjet e të dyja palëve".

“Ne shpresojmë kështu”, shtoi ai.

Një burim i Hamasit i tha AFP-së se grupi ishte për një marrëveshje që "garanton një armëpushim të përhershëm, kthimin e lirë të të zhvendosurve, një marrëveshje të pranueshme për [shkëmbimin e të burgosurve dhe pengjeve] dhe fundin e rrethimit" në Gazë.

Izraeli vlerëson se 129 pengje mbeten ende në Gazë, duke përfshirë 34 që besohet të jenë të vdekur.

Sulmi i Hamasit rezultoi me vdekjen e rreth 1.170 njerëzve në Izrael, shumica prej tyre civilë.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit vrau të paktën 34.488 njerëz në Gazë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG